Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka lëshuar akuza të forta ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe kryeministrit Edi Rama, gjatë fjalës së mbajtur në Foltoren e radhës së demokratëve përpara Kryeministrisë.
Sipas Balliut, prania e Ballukut në seancën plenare ishte një akt i hapur arrogance dhe përçmimi ndaj qytetarëve shqiptarë. Ai deklaroi se Balluku, me nënqeshje ironike, u përcillte shqiptarëve mesazhin se ka vjedhur qindra miliona euro dhe megjithatë vazhdon të qëndrojë në pushtet, e mbrojtur nga kryeministri.
“Sot pamë në Parlament se si Lubi Balluku, me arrogancë dhe nënqeshje kriminele, iu fliste qytetarëve shqiptarë nga salla. U thoshte: ju kam vjedhur, kam 300 apartamente dhe nuk iki, sepse Ramën e kam me vete. Ju s’blini dot një shtëpi, ndërsa unë qëndroj këtu me qindra miliona euro të vjedhura”, u shpreh Balliu.
Deputeti demokrat theksoi se asnjë aferë korruptive, sipas tij, nuk mund të ndodhë pa firmën dhe mbështetjen e Edi Ramës, duke përfshirë edhe skemat që lidhen me tenderat dhe institucionet shtetërore. Ai akuzoi mazhorancën se po e shndërron Kuvendin në një bunker mbrojtjeje për korrupsionin dhe kartelet kriminale.
“Opozita mbyllet, parlamenti bllokohet, vetëm që të mbrohen aferat dhe njerëzit e Ramës. Askush të mos harrojë: asnjë cent nuk vidhet pa Edi Ramën. Nga ministrat te drejtuesit e institucioneve, të gjithë janë pjesë e të njëjtës skemë”, tha Balliu.
Në fjalën e tij, ai e cilësoi situatën në vend si një “narko-shtet”, ku sipas tij, biznesmenët merren peng për tenderë dhe institucionet janë kthyer në vegla të karteleve.
Balliu u bëri thirrje qytetarëve të mos qëndrojnë indiferentë dhe të bashkohen masivisht në protestën e paralajmëruar më 24 janar, duke e cilësuar atë si një përballje vendimtare për të ardhmen e vendit.
“Shi apo vapë, shqiptarët e kanë ndarë mendjen. Më 24 janar, ora 17:00, të gjithë në protestë. Vetëm përballja qytetare mund ta largojë këtë qeveri dhe kartelet nga institucionet e shtetit”, përfundoi ai.
