“Prania e Ballukut këtu është turp” – Blushi shpërthen në Kuvend: Dorëzojani drejtësisë zv/kryeministren

Data

Seanca plenare u përfshi nga tensione të forta edhe pas ndërhyrjes së kreut të Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i cili e cilësoi një turp institucional mbajtjen e Belinda Ballukut në sallën e Kuvendit dhe refuzimin e mazhorancës për të kaluar në votim heqjen e imunitetit të saj.

Duke folur nga foltorja, në krah të deputetëve opozitarë që kishin bllokuar punimet, Blushi akuzoi drejtpërdrejt mazhorancën dhe kryeparlamentarin Niko Peleshi se po shndërrojnë Kuvendin në një mburojë të hapur të korrupsionit. Sipas tij, sjellja e sotme nuk është një provokim ndaj opozitës, por ndaj gjithë qytetarëve shqiptarë.

“Kjo që po bëni sot është turp. Është provokim ndaj shqiptarëve, jo ndaj nesh. Ju po mbroni korrupsionin dhe po përdorni Kuvendin si bunker”, u shpreh Blushi me tone të ashpra.

Ai akuzoi Peleshin se ka marrë përsipër një rol personal në bllokimin e drejtësisë, duke mos lejuar shqyrtimin e kërkesës për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres. “Ju Niko, sot jeni damkosur pas Ramës si provokatori më i madh. Balta dhe flaka do t’ju bjerë mbi ju për këtë turp që po bëni”, deklaroi ai.

Blushi e cilësoi praninë e Ballukut në sallë si “mafiose” dhe kërkoi dorëzimin e saj para drejtësisë pa asnjë vonesë. “Mos u bëni mburojë e korrupsionit. Kini vullnetin ta dorëzoni para drejtësisë. Turpi është i juaji dhe do t’ju ndjekë”, përfundoi ai.

Përplasja e fortë në Kuvend thelloi edhe më shumë krizën politike, ndërsa opozita paralajmëron se nuk do të lejojë vijimin normal të seancave pa u trajtuar çështja Balluku dhe pa respektimin e Kushtetutës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related