“Ëndrrat në diell, thuajua krushqve të dalin në orën 6” – Balla shpërthen ndaj Berishës në Kuvend

Data

Seanca plenare e sotme në Kuvend u shoqërua me tone të forta dhe përplasje të drejtpërdrejta politike, teksa kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, reagoi ashpër ndaj opozitës dhe veçanërisht ndaj Sali Berishës, i cili bashkë me deputetët e PD-së kishte bllokuar foltoren.

Në fjalën e tij, Balla u ndal fillimisht te ftesa e ardhur për Shqipërinë për të qenë pjesë e “Bordit të Paqes”, duke e cilësuar atë një moment historik dhe krenarie për vendin në arenën ndërkombëtare. Ai theksoi se ftesa vjen drejtpërdrejt nga Presidenti amerikan Donald Trump për kryeministrin Edi Rama dhe Shqipërinë, duke shtuar se do të kishte dashur që edhe opozita ta respektonte këtë zhvillim.

Sipas Ballës, reagimi i opozitës ndaj kësaj ftese ka qenë i mbushur me mohime, konfuzion dhe sulme politike, të cilat ai i cilësoi si sjellje të një “armate qyqarësh që vetëm bërtasin”. Ai ironizoi deklaratat kontradiktore të opozitës, duke thënë se fillimisht mohuan ekzistencën e ftesës, më pas tentuan ta minimizonin atë dhe në fund sulmuan edhe vetë Trumpin.

Kulmi i fjalës së Ballës erdhi kur ai iu drejtua drejtpërdrejt Sali Berishës, me tone të ashpra dhe ironike, duke e sfiduar për protestat dhe retorikën opozitare.

“Ëndrrat në diell shko thuajua atyre krushqve që të vijnë tani në orën 6 dhe atyre qyqarëve që të ndjekin. Me ne ke mbaruar punë”, deklaroi Balla nga foltorja, mes zhurmës dhe tensioneve në sallë.

Ai paralajmëroi gjithashtu opozitën se nëse nuk i bashkohet komisioneve parlamentare, përfshirë atë të reformës territoriale, mazhoranca do të vijojë punën e vetme dhe do të ndërmarrë ndryshime ligjore pa konsensusin e saj.

Përplasja verbale mes Ballës dhe Berishës e përforcoi edhe më tej klimën e ashpër politike në Kuvend, duke treguar se sesioni i ri parlamentar ka nisur nën shenjën e konfliktit të hapur dhe retorikës së fortë mes mazhorancës dhe opozitës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related