“Mjaft më!” Berisha shpërthen në Kuvend: Rama mban peng Ballukun prej dy muajsh, shkelje flagrante e Kushtetutës

Data

Seanca plenare u kthye në arenë përplasjesh të ashpra politike, pasi kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, së bashku me deputetët e opozitës, bllokoi foltoren duke kërkuar dorëzimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku para drejtësisë dhe respektimin e Kushtetutës.

Me tone të forta dhe akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Edi Rama, Berisha deklaroi se Balluku po mbahet “peng” prej më shumë se dy muajsh, ndërsa Kuvendi po përdoret si mburojë politike për të penguar drejtësinë. Sipas tij, mosshqyrtimi i kërkesës për heqjen e imunitetit përbën një shkelje të hapur kushtetuese dhe një precedent të rrezikshëm për shtetin e së drejtës.

Nga foltorja, Berisha i bëri thirrje të përsëritura kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, që të sjellë për votim kërkesën për heqjen e imunitetit, duke theksuar se rregullorja parlamentare dhe Kushtetuta janë shkelur në mënyrë të qëllimshme.

Në kulmin e tensionit, Berisha ironizoi mazhorancën duke thënë se socialistët “kanë marrë fytyrën e Ballukut”, ndërsa u shpreh se përgjegjësia për këtë situatë bie drejtpërdrejt mbi Ramën. “Emri juaj është Lubi, mbiemri juaj është Balluku. Respektoni Kushtetutën dhe rregulloren”, deklaroi ai, mes thirrjeve dhe zhurmës në sallë.

Deputetët e opozitës vijuan bllokimin e foltores, duke e cilësuar sjelljen e mazhorancës si akt të qëllimshëm për të vonuar drejtësinë dhe për të mbrojtur zyrtarë të akuzuar për korrupsion. Nga ana tjetër, mazhoranca reagoi duke akuzuar opozitën për kaos dhe shkelje të rregullave parlamentare.

Përplasja e sotme sinjalizon se çështja Balluku do të mbetet epiqendra e tensioneve politike në Kuvend, ndërsa opozita paralajmëron përshkallëzim të aksionit parlamentar dhe politik nëse kërkesa për heqjen e imunitetit vijon të mbahet e bllokuar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related