Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vijoi sot turin e tij diplomatik në Evropë, ku në orët e para të mëngjesit u takua me Papa Leon në Vatikán. Sipas njoftimit zyrtar të Selisë së Shenjtë, biseda u përqendrua te lufta në Ukrainë dhe rrugët e mundshme drejt ndërprerjes së konfliktit.
Vatikani bëri të ditur se Papa Leo ritheksoi rëndësinë e dialogut të pandërprerë, duke theksuar se përpjekjet diplomatike aktuale duhet të çojnë drejt “një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme” në Ukrainë.
Në qendër të diskutimeve ishin edhe çështja e të burgosurve të luftës si dhe kthimi i fëmijëve ukrainas të zhvendosur, të cilët sipas Kievit janë marrë me forcë nga Rusia. Papa nënvizoi nevojën që çdo fëmijë të kthehet i sigurt në familjen e tij.
Takimi u zhvillua në rezidencën papale në Castel Gandolfo, ku kreu i Kishës Katolike priti presidentin ukrainas në një atmosferë të ngrohtë, por të ngarkuar me urgjencë diplomatike.
Pas vizitës në Vatikan, Zelensky pritet të takohet edhe me kryeministren italiane Giorgia Meloni, në kuadër të përpjekjeve të tij për të siguruar mbështetje të mëtejshme evropiane, ndërsa Shtetet e Bashkuara po shtojnë presionin ndaj Kievit për të marrë në konsideratë opsione kompromisi në negociatat e paqes.
Zyrtarët amerikanë thonë se janë afër një draft-marrëveshjeje, por nuk ka asnjë sinjal se Ukraina ose Rusia janë gati të nënshkruajnë kornizën e propozuar nga ekipi negociator i administratës Trump.
