Në një intervistë televizive, eksperti bioteknologjik Ermand Mertnika foli mbi paranë digjitale dhe raportin e saj me paranë tradicionale, duke analizuar përfitimet, sfidat dhe rreziqet që shoqërojnë këtë zhvillim teknologjik.
Mertnika u shpreh se është pro inovacionit dhe digjitalizimit të ekonomisë, duke theksuar se paraja digjitale ofron më shumë lehtësi dhe fleksibilitet në menaxhimin financiar. Sipas tij, përdorimi i parasë digjitale rrit lirinë financiare të individit dhe e bën kryerjen e transaksioneve më të shpejtë dhe më efikase.
“Paranë digjitale nuk e shoh si një risk të madh. Ajo të jep mundësi të kryesh veprime shpejt dhe të fitosh më shumë liri financiare. Digjitalizimi është një drejtim i pashmangshëm i zhvillimit global”, u shpreh Mertnika.
Megjithatë, ai theksoi se nuk duhet nënvlerësuar rëndësia e parasë tradicionale, e cila ende luan një rol kyç në stabilitetin ekonomik dhe besimin e publikut. Sipas tij, një zhdukje e menjëhershme e parasë fizike nuk është realiste, por një bashkëjetesë mes dy formave është më e mundshme në të ardhmen e afërt.
“Bota po shkon drejt digjitalizimit dhe unë jam shumë pro zhvillimeve teknologjike, veçanërisht atyre që na ofrojnë lehtësira reale në jetën e përditshme”, përfundoi ai.
