Autoritetet indoneziane kanë konfirmuar gjetjen e rrënojave të një avioni mbikëqyrës peshkimi që ishte raportuar i zhdukur nga radarët gjatë një fluturimi rutinë.
Avioni, i tipit ATR 42-500, humbi kontaktet me kontrollin e trafikut ajror në zonën Maros, në provincën Kalimantan Jugor. Në bord ndodheshin gjithsej 11 persona, tetë anëtarë të ekuipazhit dhe tre pasagjerë.
Sipas të dhënave zyrtare, mjeti ajror ishte marrë me qira nga Ministria e Çështjeve Detare dhe Peshkimit dhe po kryente misione monitorimi të aktivitetit të peshkimit. Tre pasagjerët ishin punonjës të kësaj ministrie.
Pas nisjes së operacionit të kërkim-shpëtimit, ekipet nga ajri dhe toka arritën të lokalizojnë rrënojat në një zonë të vështirë për t’u aksesuar. Deri më tani nuk ka informacion zyrtar për gjendjen e personave që ndodheshin në bord.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e një defekti teknik apo kushteve të pafavorshme atmosferike në momentin e fluturimit.
Operacionet e kërkimit dhe verifikimit në terren vijojnë, ndërsa pritet një njoftim i plotë zyrtar mbi bilancin e kësaj tragjedie ajrore.
