Komuniteti i Makrynias në Aitoloakarnania është tronditur nga vrasja e 51-vjeçarit Kostas Alexandris, kryetar i komunitetit Lithovouni. Hetimet paraprake të policisë greke tregojnë se ngjarja ka motive personale, të lidhura me një konflikt sentimental.
Autori i dyshuar, një shtetas shqiptar 44-vjeçar, ka deklaruar para autoriteteve se veproi nga frika. Sipas tij, viktima i kishte bërë shenja nga brenda makinës dhe ai u tremb se mund të sulmohej, duke e qëlluar i pari. Megjithatë, ky version nuk i ka bindur hetuesit, të cilët po analizojnë me kujdes të gjitha provat.
Nga të dhënat e deritanishme, dyshohet se mes autorit dhe viktimës kishte një rivalitet romantik. Gruaja e viktimës kishte pasur një lidhje jashtëmartesore me autorin dhe ishte larguar nga familja, për të jetuar për një periudhë në Patra, por më pas ishte kthyer sërish te bashkëshorti i saj. Ky zhvillim mendohet se ka përshkallëzuar konfliktin mes dy burrave.
Sipas policisë, autori i ka ngritur pritë viktimës dhe, në momentin që 51-vjeçari po kalonte me automjet, e ka qëlluar tre herë. Si pasojë e të shtënave, drejtuesi i mjetit humbi kontrollin dhe makina përfundoi në një përrua.
Gjatë kontrollit në vendngjarje u konstatua se viktima ishte i armatosur me një pushkë gjahu, e gjetur brenda automjetit. Po ashtu, u sekuestruan disa gëzhoja në pjesën e përparme dhe të pasme të makinës, të cilat po analizohen në kuadër të hetimit balistik.
Disa orë pas krimit, autori kontaktoi vetë policinë dhe kërkoi të dorëzohej, duke deklaruar se ai ishte përgjegjës për vrasjen. Ai dorëzoi edhe armën e përdorur dhe u shoqërua në komisariat, ku po mbahet në paraburgim.
Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe motivet e kësaj vrasjeje që ka tronditur opinionin publik në Greqi.
