Kryeministri polak Donald Tusk do të vizitojë Beogradin të mërkurën e ardhshme, pikërisht në momentin kur në Kazan po mbahet Samiti i BRICS, në të cilin nuk do të shkonte presidenti Aleksandër Vuçiç, pavarësisht ftesës së presidentit rus Vladimir Putin. Vuçiç refuzoi ftesën e homologut rus dhe u justifikua me vizita të rëndësishme, që priteshin në Beograd. Ai person i rëndësishëm është kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, i cili do të jetë në Beograd më 23 dhe 24 tetor. Tusk në njërën anë, Putin në anën tjetër. Bashkëbiseduesit e medias serbe “Nova.rs” thonë se asgjë nuk është e rastësishme. Megjithatë, presidenti serb i ka konfuzuar sërish mediat, duke lënë të kuptohej se po e peshon këtë vendim. Madje, shumë prej mediumeve serb, arrijnë në përfundimin se Vuçiç ka vendosur të shkojë në Kazan.
Vendimi i Vuçiç
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dje, gjatë festimit të Ditës së BIA-s ku mori medaljen e artë, iu drejtua ekipit të televizionit N1 dhe u tha atyre se ata kanë “pyetje shumë frymëzuese” dhe se çfarëdo që të bëjë ai do të jetë gjithmonë fajtor për ata dhe se ata janë duke kërkuar një arsye për ta sulmuar. Më specifikisht, N1 e ka pyetur presidentin se kur do të dihet nëse do të shkojë në Kazan për takimin e liderëve të BRICS-it, gjë që u pasua me këto përgjigje. “Unë jam mirënjohës – ju djema nga N1 keni gjithmonë pyetje frymëzuese. E them këtë pa cinizëm, vetëm dua t’u them njerëzve dhe qytetarëve pse më është bërë pyetja e parë. Nëse them se do të shkojmë në Kazan, ju do të thoni se “do të zbulohet fundi i rrugës evropiane të Serbisë, Serbia më në fund e ka marrë mendjen dhe e ka shkatërruar veten”, tha Vuçiç. “Nëse them të kundërtën, do të thoni: Vuçiç i tradhtoi rusët”, shtoi presidenti serb. “Pra, sido që të bësh, do të fajësohesh gjithmonë, dhe atë nga ata që nuk kanë ideologji, që nuk qëndrojnë për asgjë dhe thjesht kërkojnë një arsye për të të sulmuar”, tha Vuçiç.
Samiti i BRICS
Ai u përgjigj se gjithçka do të jetë e qartë deri më 21 tetor. “Unë thashë, por tani po ju njoftoj, gjithçka do të jetë e qartë. Do t’ju njoftoj në datën 20 dhe më së voni në datën 21 tetor. Pres një bisedë të rëndësishme në datën 20 dhe ne presim shumë biseda të tjera të rëndësishme në datën 20. Nuk mund t’ju zbuloj ende të gjitha detajet, por do të jetë një nga javët më interesante. Mbreti Eswatini vjen këtu të shtunën dhe të dielën. Ne kemi mysafirë të tjerë dhe bisedime të dielën, dhe pastaj çdo ditë nga e hëna”, tha ai. Lista e pjesëmarrësve për samitin e BRICS në Kazan nuk është ende përfundimtare, të mërkurën, më 16 tetor, zëdhënësi i Kremlinit Dimitry Peskov tha se lista zyrtare e pjesëmarrësve do të lexohet të hënën, më 21 tetor. BRICS nënkupton Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe samiti do të mbahet nga 22 deri më 24 tetor në qytetin rus të Kazanit.
