Greqia po ndërmerr një reformë të thellë në fushën e emigracionit të ligjshëm, duke synuar t’i japë fund bllokimeve shumëvjeçare, vonesave burokratike dhe pasigurisë juridike për qindra mijëra emigrantë. Projektligji i ri i Ministrisë së Migracionit dhe Azilit pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme në dhënien dhe rinovimin e lejeve të qëndrimit, si dhe në thirrjen e punëtorëve nga vendet e treta.
Qeveria greke synon të bëjë një ndarje të qartë mes emigracionit të ligjshëm dhe atij të paligjshëm, duke lehtësuar ndjeshëm procedurat për ata që jetojnë dhe punojnë në mënyrë të rregullt në Greqi.
Aktualisht, në vend jetojnë rreth 793 mijë emigrantë të ligjshëm, ndërsa afro 293 mijë aplikime për leje qëndrimi mbeten pezull. Këto vonesa kanë sjellë pasoja serioze për emigrantët dhe bizneset, pasi shpesh lejet lëshohen pasi kanë skaduar, duke krijuar pasiguri në punësim dhe integrim shoqëror.
Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, rreth 90 mijë leje qëndrimi në pritje pritet të zhbllokohen menjëherë, ndërsa brenda dy viteve parashikohet të zgjidhen edhe dhjetëra mijëra raste të tjera të bllokuara.
Çfarë ndryshon konkretisht
Projektligji parashikon:
- Rinovim automatik të lejeve të qëndrimit për kategori të caktuara emigrantësh, veçanërisht për ata që vazhdojnë të punojnë te i njëjti punëdhënës.
- Leje me kohëzgjatje minimale dyvjeçare, për të shmangur penalizimin e emigrantëve nga vonesat administrative.
- Mundësi riaplikimi për emigrantët që jetojnë ligjërisht prej 5 vitesh, por që janë refuzuar më parë për arsye thjesht formale.
- Rregullim i posaçëm për emigrantët mbi 65 vjeç, të cilët kanë jetuar dhe punuar ligjërisht për të paktën 20 vite: ata do të mund të qëndrojnë pa detyrim pune, me sigurim shëndetësor privat dhe pension.
Fuqi punëtore për ekonominë greke
Një shtyllë kyçe e reformës është përshpejtimi i procedurave për thirrjen e punëtorëve nga vendet e treta, për të mbuluar mungesat e theksuara në sektorë si bujqësia, ndërtimi dhe turizmi.
Projektligji:
- Thjeshton procedurat e thirrjes së punëtorëve
- Lejon kompanitë e punësimit të përkohshëm të veprojnë në emër të bizneseve
- Parashikon thirrje të menjëhershme deri në 500 punëtorë për projekte të mëdha
- Ul ndjeshëm vonesat në konsullata
- Lejon ndryshimin e punëdhënësit pa humbur statusin ligjor, duke kufizuar shfrytëzimin dhe varësinë nga një punëdhënës i vetëm
Paralelisht, Greqia forcon marrëveshjet dypalëshe me vende të treta, sidomos për sektorin e bujqësisë, duke i lidhur këto marrëveshje me bashkëpunimin kundër migracionit të paligjshëm.
“Rrugë e re për migracionin e ligjshëm”
Me këtë reformë, autoritetet greke synojnë të ndërtojnë një sistem më funksional dhe më të drejtë për emigracionin e ligjshëm, që i shërben ekonomisë, mbron punëtorët dhe garanton siguri juridike.
Mesazhi është i qartë:
lehtësim për ata që punojnë ligjërisht dhe rregulla të forta për emigracionin e paligjshëm.
