Një seri ortekësh vdekjeprurës kanë goditur Alpet Austriake, duke marrë jetën e pesë skiatorëve brenda pak orësh, në kushte të motit ekstrem dhe reshjeve të dendura të dëborës.
Ngjarja më e rëndë ndodhi në rajonin Pongau të Salzburgut, ku një ortek përfshiu një grup prej shtatë skiatorësh. Katër prej tyre humbën jetën në vend, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur rëndë. Operacionet e shpëtimit u zhvilluan në kushte shumë të vështira për shkak të borës së thellë dhe rrezikut të ortekëve të tjerë.
Rreth një orë e gjysmë më vonë, një tjetër ortek goditi në të njëjtën zonë, duke i marrë jetën një skiatori tjetër, i cili nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra.
Autoritetet raportojnë se vetëm gjatë javës së fundit, ortekët në Alpe kanë shkaktuar të paktën nëntë viktima. Më herët, një 13-vjeçar humbi jetën gjatë skijimit në Bad Gastein, ndërsa një skiator 58-vjeçar u vra në Tirol. Ngjarje të ngjashme janë regjistruar edhe në Zvicër dhe Francë, ku disa persona humbën jetën dhe të tjerë mbetën të plagosur.
Ekspertët paralajmërojnë se kombinimi i reshjeve të dendura të dëborës, temperaturave të ulëta dhe erërave të forta ka rritur ndjeshëm rrezikun e ortekëve, duke u bërë thirrje skiatorëve të shmangin zonat jashtë pistave të sigurta.
