Deputetja e Partisë Demokratike, Elda Hoti, ka ngritur alarmin për atë që e cilëson një tjetër aferë të rëndë me fondet publike, lidhur me ndërhyrjen “emergjente” në Urën e Milotit, për të cilën u akordua një fond prej 1 milion eurosh.
Sipas Hotit, ndërhyrja e pretenduar për mbrojtjen e themeleve të urës jo vetëm që nuk ka zgjidhur problemin, por ka lënë situatën edhe më të rëndë, duke rrezikuar qarkullimin dhe izoluar qytetarët e Milotit dhe gjithë veriut të vendit.
“Sot realiteti është i pamëshirshëm: këmbët e urës janë ende të dëmtuara, qarkullimi i automjeteve mbetet i bllokuar dhe siguria nuk është garantuar. Paratë publike janë shpenzuar, por ura vazhdon të jetë rrezik”, shprehet Hoti.
Ajo ngre pyetjen thelbësore: ku kanë shkuar 1 milion eurot e dhëna për këtë ndërhyrje dhe kush mban përgjegjësi për një investim që, sipas saj, ekziston vetëm në letra?
“Kjo nuk është paaftësi, kjo është grabitje e organizuar e fondeve publike. Qytetarët janë lënë të braktisur, infrastruktura po shembet dhe përgjegjësit fshihen pas tenderëve ‘emergjentë’ dhe heshtjes institucionale”, thekson deputetja.
Hoti shton se një nga arsyet kryesore që ka çuar Urën e Milotit në këtë gjendje është edhe marrja pa kriter e inerteve, pa asnjë kontroll real nga institucionet përgjegjëse.
Ajo kërkon transparencë të plotë, hetim dhe mbajtje përgjegjësie për fondet e shpenzuara, duke paralajmëruar se rreziku për qytetarët vazhdon, ndërsa paratë publike janë zhdukur pa lënë gjurmë.
