Ja 3 bashkëpunëtorët e Sali Berishës që dyshohet se rrëmbyen, torturuan dhe zhdukën Remzi Hoxhën, djali i biznesmenit të zhdukur 29 vite më parë rrëfen të pathënat dhe zbulon kalvarin e vuajtjeve për të gjetur eshtrat e të atit

Data

Kur kanë kaluar më shumë se 28 vite nga zhdukja e biznesmenit dhe aktivistit, por ende nuk ka asnjë të dhënë të qartë për fatin e tij. Djali i Remzi Hoxhës, Ardian Hoxha, ka deklaruar dje se e vetmja gjë që kërkon është që të gjenden eshtrat për t’i bërë një varr babait. Gjatë një interviste televizive, ai theksoi se nga të gjitha kërkimet që kanë bërë këto tre dekada, emrat që u dalin përpara janë tre figura të rëndësishme të Shërbimit Informativ Shtetëror të kohës dhe që njihen si bashkëpunëtorë të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili në 21 tetor të 1995 kur u rrëmbye, torturua dhe u zhduk Remzi Hoxhën, ishte President i Republikës së Shqipërisë, pra ai kishte fuqi ekzekutive. “Ne si familje nuk kemi kërkuar as të bëhet madhështore figura e babait tim. Kemi kërkuar vetëm që të kemi eshtrat dhe t’i bëjmë një varr. Vitet e para kemi menduar që është gjallë, që po e mbajnë peng. Lloj-lloj tregimesh kemi pasur. Me kalimin e viteve kemi pasur edhe informacione, por që humbisnim gjurmët. Pastaj ti nuk do ta besosh që është i vdekur. Ne kemi dëgjuar që pas 4-5 ditësh nga rrëmbimi të ketë ndërruar jetë. Ishin 3 emra që na dilnin, Bashkim Gazidede, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro. Kishte shumë njerëz që thoshin “ju lutem mos ma përmendi emrin se më ikën koka dhe kam familje”. Gjithmonë ne kemi kërkuar vetëm eshtrat. Kemi besuar që jemi edhe 1% afër për t’i gjetur eshtrat. Kam grupuar mbi 100 varre dhe kemi bërë ADN-në dhe asnjë nga ato nuk na ka dale. Thuhet që janë të tretura në acid apo gëlqere, thuhet që janë të hedhura në det vetëm që na e bëjnë mjegullën sa më të madhe. Besoj që do t’i gjejmë eshtrat. Pa marrë parasysh nëse ishte hero i popullit apo spiun i madh, duam t’i bëjmë një varr”, deklaroi Hoxha.

Reagon ish-prokurori Hajdari

Ndërkohë edhe një prej njerëzve që ka kaluar nëpër duar dosjen e zhdukjes së Remzi Hoxhës, ish-prokurori Shkëlqim Hajdari, thotë se eshtrat e tij mund të jenë asgjësuar. Teksa ishte i ftuar në të njëjtën studio televizive ku ishte djali i Remzi Hoxhës, Aridan Hoxha, ish-prokurori Hajdari thotë se ka bërë kërkime nëpër varreza për eshtrat e Hoxhës, por pa marrë asnjë rezultat. “Jo vetëm që i kam dëgjuar, por kam bërë veprime pa i njoftuar fare familjarët për veprime që më vinin edhe mua. Kam qenë shëtitës nëpër varreza. Të gjitha kanë qenë informacione të gabuara qoftë në hetimin e parë, qoftë në hetimin e dytë që bënte Xhevat Hana. kam marrë pjesë në 3-4 raste. Kisha kontakte me xhaxhanë e Ardianit. Në hetimin e dytë më shtohej mendimi që frika e madhe apo arsyet e tjera të atyre që e bënë këtë tragjedi njerëzore, mund të kishin asgjësuar eshtrat. Kam ditur se ç’përfaqëson fisi Hoxha i shtrirë në Kosovë dhe Maqedoni. Na kanë treguar se pavarësisht se mund të goditesh fort mund të ruash qytetarinë dhe qetësinë. I kishin të gjitha mundësitë që për njerëz që janë të përfshirë në këtë ngjarje, nuk kanë bërë asnjë veprim për t’u hakmarrë”, deklaroi dje ish-prokurori Shkëlqim Hajdari.

Çfarë ka ndodhur?

I lindur në Shkup, Remzi Hoxha, ka qenë një biznesmen dhe një aktivist për çështjen etnike shqiptare në Kosovë, por ishte larguar për në Shqipëri për t’i shpëtuar persekutimit nga regjimi jugosllav. Por pastaj, më 21 tetor 1995, ndodhi tragjedia. Ai u rrëmbye në qendër të Tiranës nga agjentët e SHIK-ut, kohë kur President ishte Sali Berisha. Edhe pse ka kaluar më shumë se çerek shekulli, rrethanat e zhdukjes së tij mbeten të paqarta. Familja e tij dhe mediat e asaj kohe akuzojnë drejtpërdrejt Sali Berishën për zhdukjen e tij. Mediat kanë publikuar dëshmi se Remzi Hoxha mori informacione se Sali Berisha do të takohej me presidentin serb, Sllobodan Millosheviç, gjë që do të shihej si një tradhti ndaj çështjes shqiptare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related