Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka përsëritur thirrjen e tij për ndryshim të udhëheqjes në Iran, duke e cilësuar vendin si “më të keqin në botë për të jetuar”, për shkak të asaj që ai e përshkroi si sundim përmes frikës, dhunës dhe represionit.
Në një deklaratë publike, Trump u shpreh se pas 37 vitesh nën drejtimin e Ajatollah Ali Khamenei, Irani ndodhet në një gjendje shkatërrimi të plotë dhe se ka ardhur koha për një udhëheqje të re që të qeverisë me përgjegjësi dhe respekt për qytetarët.
“Është koha për të kërkuar një udhëheqje të re në Iran. Ky vend nuk mund të vazhdojë të mbahet në këmbë me dhunë dhe vrasje”, tha Trump, duke iu referuar protestave masive dhe përplasjes së përgjakshme të regjimit me qytetarët.
Ai akuzoi udhëheqjen iraniane se mbijeton politikisht vetëm përmes shtypjes brutale dhe përdorimit ekstrem të forcës, duke theksuar se një shtet nuk mund të qeveriset mbi bazën e frikës. Sipas tij, respekti i qytetarëve është themeli i çdo qeverisjeje legjitime.
Trump reagoi edhe ndaj deklaratave të fundit të Ajatollah Khameneit, i cili e akuzoi presidentin amerikan për dhunën dhe humbjet e jetëve në Iran. Kreu i Shtëpisë së Bardhë i hodhi poshtë këto akuza, duke theksuar se përgjegjësia për situatën dramatike bie mbi udhëheqjen e Teheranit.
“Ajo për të cilën ai është vërtet fajtor është shkatërrimi i vendit të tij dhe vrasja e mijëra njerëzve për të ruajtur pushtetin. Udhëheqja duhet të bazohet në respekt, jo në frikë dhe vdekje”, deklaroi Trump.
Ai shtoi se Irani, për shkak të keqqeverisjes dhe represionit të vazhdueshëm, është kthyer në një vend ku jeta është e padurueshme për qytetarët e tij, duke e cilësuar hapur si “vendin më të keq për të jetuar në botë”.
Thirrjet e Trump për ndryshim regjimi vijnë në një moment tensionesh të larta ndërkombëtare dhe debateve të forta mbi situatën e të drejtave të njeriut në Iran, ndërsa ai paralajmëroi se komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të mbyllë sytë përballë asaj që po ndodh.
