Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë fjalës së mbajtur në Foltoren e Laprakës, duke e cilësuar atë si një autokrat që ka ndërtuar një narkoshtet dhe ka plaçkitur qytetarët shqiptarë.
Berisha deklaroi se gjatë qeverisjes së Ramës, baronët e drogës janë shndërruar në faktorë vendimmarrës, duke ndikuar drejtpërdrejt në emërimin e deputetëve, ministrave dhe në manipulimin e zgjedhjeve. Sipas tij, drejtësia është kthyer në një instrument shantazhi dhe pazari politik, në shërbim të pushtetit dhe krimit të organizuar.
Ai theksoi se opozita është përballur me izolim politik, presione dhe sulme të vazhdueshme, por ka zgjedhur të mos tërhiqet. “Liria nuk ekziston pa pluralizëm dhe pa opozitë të vërtetë. Ne u përpoqën të na izolonin pesë pashë nën dhe, por nuk ia dolën. Sot jemi më të fortë se kurrë”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, në arenën ndërkombëtare regjimi i Ramës është damkosur si një nga më të rrezikshmit në Europë, me rezoluta të njëpasnjëshme që e cilësojnë Shqipërinë si narkoshtet dhe Ramën si autokrat që ka kthyer zgjedhjet në farsë elektorale.
Berisha shtoi se paratë e drogës kanë dëmtuar rëndë ekonominë, kanë mbyllur mijëra vende pune, kanë rritur çmimet dhe kanë ulur ndjeshëm të ardhurat e familjeve shqiptare nga emigracioni. “Eurot e drogës janë helm për ekonominë dhe për jetën e qytetarëve”, tha ai.
Në përfundim, Berisha theksoi se misioni i opozitës është mbrojtja e interesit kombëtar dhe rikthimi i demokracisë reale në vend, duke u përballur pa kompromis me atë që ai e quajti një regjim të rrezikshëm për Shqipërinë dhe Europën.
