Kryetari i degës së Partisë Demokratike në Laprakë, Shkëlzen Mustafa, ka mbajtur një fjalim të fortë politik gjatë Foltores së organizuar në këtë zonë, duke akuzuar qeverinë për braktisje totale dhe duke bërë thirrje për mobilizim masiv në protestën kombëtare të 24 janarit.
Mustafa deklaroi se prej 13 vitesh demokratët dhe qytetarët përballen me një regjim që sipas tij është i paprecedentë, por që nuk ka arritur asnjëherë t’i nënshtrojë banorët e Laprakës. Ai vlerësoi qëndrueshmërinë e demokratëve, duke theksuar se ata kanë qëndruar “me kokën lart” edhe përballë asaj që e cilësoi si farsë elektorale.
“Ju nuk u përkulët kurrë përballë këtij regjimi. E treguat dinjitetin tuaj në çdo sfidë dhe e dëshmuat edhe më 11 maj. Ju jeni heronjtë e vërtetë”, u shpreh Mustafa, duke falënderuar strukturat dhe mbështetësit e PD-së në Laprakë.
Ai theksoi se viti 2026 është vendimtar për opozitën dhe se protesta e 24 janarit shënon fillimin e një beteje të re politike, e cila nuk do të ndalet deri në realizimin e një qeverie teknike dhe largimin e qeverisë aktuale nga pushteti.
“Ky është viti ynë i fundit në opozitë. Më 24 janar duhet të pushtojmë sheshin me qëndresën tonë historike. Lapraka nuk harrohet dhe nuk dorëzohet”, përfundoi Mustafa mes duartrokitjeve të mbështetësve.
