Vetëm në 8 vite, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka kryer pagesa në vlerën totale prej 414 milionë eurosh, sipas të dhënave të publikuara nga Open Data.
Shifrat tregojnë se nga viti 2019 deri në 2026, AKSHI ka likuiduar përmes Thesarit të Shtetit rreth 40 miliardë lekë, që përkthehen në 414.5 milionë euro.
Vetëm gjatë vitit 2024, pagesat kanë arritur në 9,054,240,561 lekë.
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka regjistruar një hetim penal ndaj AKSHI-së për dyshime mbi veprimtari të organizuar kriminale. Sipas informacioneve të bëra publike, janë vendosur masa sigurie për disa persona të lidhur me këtë institucion.
Në kërkim, me vendim arresti, ndodhen biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, ndërsa me masën “arrest në shtëpi” janë vendosur drejtoresha dhe nëndrejtoresha e AKSHI-t.
Hetimi pritet të përqendrohet në:
- procedurat e prokurimeve publike,
- destinacionin e fondeve të shpenzuara,
- marrëdhëniet mes zyrtarëve shtetërorë dhe subjekteve private përfituese.
Publikimi i këtyre të dhënave ka rikthyer në vëmendje përmasat financiare të aktivitetit të AKSHI-t dhe nevojën për transparencë mbi përdorimin e fondeve publike, në një kohë kur hetimet penale janë ende në zhvillim.
