Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në protestë më 24 janar, duke i ftuar të mbushin sheshet dhe rrugët e Tiranës për atë që ai e cilëson si rikthim të shpresës për të ardhmen e vendit.
Në një mesazh drejtuar shqiptarëve brenda dhe jashtë Shqipërisë, Berisha theksoi se protesta synon të bashkojë qytetarët kundër keqqeverisjes dhe korrupsionit, duke e konsideruar qeverinë aktuale si një regjim që ka dëmtuar rëndë vendin dhe ka shuar shpresën e qytetarëve.
“Me datën 24 janar, në një përpjekje sa më të fuqishme, të ngremë zërin tonë të bashkuar që të dëgjohet në çdo vatër shqiptare, në të katër anët e botës. Kemi përballë një qeveri kriminale dhe një kryeministër që ka vjedhur e shpërdoruar miliarda. Duhet të bashkohemi kundër së keqes për të rikthyer shpresën për të ardhmen,” u shpreh Berisha.
Ai ftoi çdo shqiptar të marrë pjesë në protestë, duke e cilësuar 24 janarin si një ditë vendimtare për të treguar vullnetin qytetar dhe për të kundërshtuar, sipas tij, degradimin e shtetit dhe largimin masiv të shqiptarëve nga vendi.
