Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka nisur prej datës 16 janar një aksion kontrollesh në terren në sektorin e ndërtimit, për të goditur nëndeklarimin e pagave dhe abuzimet financiare. Sipas njoftimit zyrtar, kontrollet do të përqendrohen te subjektet që nuk kanë respektuar pagat dysheme të përcaktuara nga administrata tatimore, të cilat hynë në fuqi më 1 dhjetor 2025.
Tatimet sqarojnë se ndërtuesit po deklarojnë paga më të ulëta sesa realiteti, duke cenuar sigurimet shoqërore dhe pensionet e punonjësve. Për këtë arsye, muajin e kaluar u publikua lista e pagave orientuese për sektorin e ndërtimit, sipas profesioneve.
Sipas këtij vendimi:
•paga minimale për sanitarët është 60 mijë lekë;
•për të gjithë profesionet e tjera në ndërtim, paga nuk duhet të jetë më e ulët se 80 mijë lekë.
Zbatimi i këtyre pagave dysheme rrit automatikisht pagën mesatare në ndërtim nga rreth 68 mijë lekë në 85 mijë lekë. Çdo subjekt që deklaron paga nën këto nivele ose që ndryshon fiktivisht profesionet e punonjësve për të shmangur detyrimet, do të konsiderohet me risk të lartë dhe do t’i nënshtrohet kontrolleve të specializuara.
Tatimet paralajmërojnë se aksioni nuk do të ndalet vetëm te pagat. Në lupë do të jenë edhe:
•kontratat e shitjes së apartamenteve;
•parapagimet dhe dokumentimi i tyre me fatura të rregullta;
•burimi i të ardhurave për transaksionet e dyshimta;
•shoqërimi i mallrave me faturë tatimore;
•deklarimi korrekt i kontratave të qiramarrjes.
Ky proces do të zhvillohet në bashkëpunim edhe me agjenci të tjera ligjzbatuese.
Sektori i ndërtimit punëson rreth 63 mijë persona, rreth 20 mijë më shumë se një dekadë më parë, por vazhdon të renditet ndër sektorët me pagat më të ulëta në vend. Ndërkohë, të dhënat zyrtare tregojnë se paga mesatare prej 68 mijë lekësh reflekton kryesisht nëndeklarimin e rrogave, pavarësisht pretendimeve për rritje pagash nga vetë ndërtuesit.
Administrata Tatimore thekson se kontrollet do të jenë të thelluara dhe të vazhdueshme, me qëllim formalizimin e sektorit dhe mbrojtjen e të drejtave të punonjësve.
