“Nuk marrim pushtet me dhunë” – Berisha për protestën e 24 janarit: Ja rruga për largimin e Edi Ramës

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur sot për protestën e opozitës që do të mbahet më 24 janar para Kryeministrisë, duke theksuar se opozita nuk synon marrjen e pushtetit me dhunë, por përmes një qëndrese të gjatë dhe paqësore.

Gjatë bashkëbisedimit online me ndjekësit, Berisha u shpreh se PD ka qenë dhe mbetet një forcë politike që beson te ndryshimi me mjete demokratike dhe qytetare.

“Ne jemi Partia Demokratike. Nuk e kemi synuar kurrë pushtetin me dhunë. Përkundrazi, kur këta e kanë marrë pushtetin me dhunë, ne i kemi përzënë me votë,” u shpreh Berisha.

Ai theksoi se opozita beson në një kryengritje paqësore, të qëndrueshme dhe të zgjatur, si e vetmja rrugë për të sjellë ndryshimin politik në vend.

“Ne besojmë se me një kryengritje paqësore të qëndrueshme është plotësisht e mundur largimi i tyre nga pushteti. Duhet të krijojmë një bindje të gjerë te opozitarët, te qytetarët dhe te të gjithë ata që duan të shpëtojnë Shqipërinë nga kjo e keqe,” tha Berisha.

Sipas tij, kjo lëvizje kërkon përgatitje, durim dhe angazhim afatgjatë, por është vendimtare për fatin e vendit.

“Një kryengritje e zgjatur, paqësore, është jetike për shpëtimin e Shqipërisë. Po bëjmë përgatitjet tona dhe besojmë se shumë shpejt qytetarët dhe opozitarët do të jenë gati për këtë proces dhe këtë lëvizje,” përfundoi Berisha.

Protesta e 24 janarit pritet të jetë një tjetër akt i presionit opozitar ndaj qeverisë, në kuadër të asaj që PD e cilëson si betejë për largimin e regjimit aktual përmes mjeteve demokratike dhe qytetare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related