Hetimet e përbashkëta të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) me autoritetet franceze zbuluan një strukturë kriminale shqiptare që ishte krijuar në rajonin e Lionit të Francës e cila në bashkëpunim me një grup kriminal nga Shqipëria, koordinonte aktivitete të ndryshme të paligjshme, dhe fitimet e realizuara i dërgonte në Shqipëri. Bëhet fjalë për dy grupe kriminale nga të cilët, SPAK informoi dje se ka dërguar dje (11 qershor 2024) për gjykim në GJKKO dosjen për 12 persona. Ndërsa nga autoritetet franceze të drejtësisë janë proceduar 13 persona. Në gjyq janë dërguar si të pandehur Agustin Mesuli dhe Altin Doda,Florian Baku, Sokol Idrizaj, Elda Idrizaj dhe Egi Idrizaj (Burrë, grua dhe vajza) Dejvi Skënderaj, Bora Idrizaj Vangjush Kashara dhe Tomor Baruti Gentian Aga dhe Alid Shehi. Në grupin e parë ishte Sokol Briant, shqiptari i cili menaxhonte hotel d’Alsace në Lion të Francës. I njohur dhe si Sokol Balili apo Sokol Brahimi, ai riblente sendet e vjedhura nga bashkëpunëtorët e tij më pas bashkë dhe me shuma monetare që ridhnin nga veprimtari kriminale në këtë hotel ia dorëzonte Agustin Mesuli, Altin Doda dhe Dritan Ulqinaku, të cilët punonin si shoferë në itinerarin Shqipëri-Francë-Shqipëri, dhe merrnin përsipër transportin e tyre në mënyrë të fshehtë, kundrejt fitimit nga 3%-7%. Bëhet fjalë për 300 vjedhje. Grupi i dytë që përbëhej nga Sokol Idrizaj, i cili ka punuar si shoferi i Ministrise se Brendshme në Shqipëri. Bashkë me gruan e tij Elda Idrizaj, dhe vajzën, Egi që studionte në Francë transportonin shuma monetare të padeklaruara nga Shqipëria-Francë, dhe bënin blerje të produkteve të luksit nga firmat më prestigjioze po në Francë me kartat e tyre bankare ose para në dorë. Këto produkte janë transportuar nga të pandehurat Elda dhe Egi Idrizaj, nga të pandehurit Dejvi Skënderaj dhe Bora Idrizaj, si dhe nga kompanitë e transportit “Erdisa Tours”, “Altini Travel” dhe “Tani Tours”, të cilat janë futur kontrabandë në Shqipëri. Nga hetimet ka rezultuar se, Idrizaj, për interesa të aktivitetit të paligjshëm kriminal merrnin shuma të konsiderueshme monetare me përqindje (deri në 10% në muaj), nga persona të cilat nuk ishin të licencuar për të kryer një aktivitet të tillë, e më konkretisht nga të pandehurit Agustin Mesuli, Altin Doda, Vangjush Kashara dhe Tomorr Barruti. Agustin Mesuli, Altin Doda dhe Dritan Ulqinaku që ishin dhe drejtuesit e kompanive të transportit “Erdisa Tours”, “Altini Travel” dhe “Tani Tours” të cilët kanë marrë përsipër transportin e sendeve me vlerë të vjedhura në Francë në Shqipëri kundrejt fitimit 3 % – 7 % kanë pasur dhe mbështetjen e autoriteteve policore në Pikën e Kalimit Kufitar të Portit të Durrësit
Skema si vepronin grupet kriminale
“Nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar se, një strukturë kriminale ishte krijuar në rajonin e Lionit-Francë, e cila në bashkëpunim me një grup kriminal nga Shqipëria, koordinonte aktivitete të ndryshme të paligjshme, dhe fitimet e realizuara i dërgonte në Shqipëri. Veprimtaria kriminale e tyre kamuflohej pas aktivitetit të disa agjencive të udhëtimeve, me objekt veprimtarie në transportin e udhëtarëve dhe mallrave nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe anasjelltas. Grupet kriminale që kanë vepruar në kuadër të këtij aktivitetit të paligjshëm kriminal, si në territorin francez, ashtu dhe atë shqiptar janë dy. Grupi i parë, përbëhet nga të pandehurit Agustin Mesuli, Altin Doda dhe Florian Baku, personat e proceduar nga autoritetet franceze të drejtësisë Sokol Briant (alias Brahimi, alias Balili), Dritan Ulqinaku, etj. Nga hetimet e kryera nga autoritetet franceze ka rezultuar e provuar se Sokol Briant, pas grumbullimit në mënyrë të vazhdueshme të sendeve të vjedhura (nga bashkëpunëtorët e tij), si dhe shumave monetare që rridhnin nga veprimtaria kriminale në Hotel d’Alsace (i cili menaxhohej po nga Sokoli), i’a dorëzonte të pandehurve Agustin Mesuli, Altin Doda dhe Dritan Ulqinaku, të cilët punonin si shoferë në itinerarin Shqipëri-Francë-Shqipëri, dhe merrnin përsipër transportin e tyre në mënyrë të fshehtë, kundrejt fitimit nga 3%-7%. Grupi i dytë, përbëhet nga të pandehurit Sokol, Elda, Egi Idrizaj, dhe bashkëpunëtorët e tyre të proceduar nga autoritetet franceze, të cilët kanë ushtruar veprimtarinë e paligjshme kriminale nëpërmjet transportimit të shumave monetare të padeklaruara nga Shqipëria-Francë, dhe blerjes së produkteve të luksit nga firmat më prestigjioze po në Francë. Blerje të cilat janë realizuar si me para në dorë, ashtu dhe nëpërmjet kartave bankare (të hapura në emrin e tyre si dhe të lidhjeve të tyre shoqërore). Këto produkte janë transportuar nga të pandehurat Elda dhe Egi Idrizaj, nga të pandehurit Dejvi Skënderaj dhe Bora Idrizaj, si dhe nga kompanitë e transportit “Erdisa Tours”, “Altini Travel” dhe “Tani Tours”, të cilat janë futur kontrabandë në Shqipëri. Nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar se, të pandehurit Idrizaj, për interesa të aktivitetit të paligjshëm kriminal merrnin shuma të konsiderueshme monetare me përqindje (deri në 10% në muaj), nga persona të cilat nuk ishin të licencuar për të kryer një aktivitet të tillë, e më konkretisht nga të pandehurit Agustin Mesuli, Altin Doda, Vangjush Kashara dhe Tomorr Barruti, të cilët kanë konsumuar elementët e veprës penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarisë bankare”. Drejtuesit e kompanive të transportit “Erdisa Tours”, “Altini Travel” dhe “Tani Tours”, respektivisht të pandehurit Agustin Mesuli, Altin Doda dhe Dritan Ulqinaku, kanë marrë përsipër transportin e produkteve të veprës penale dhe dorëzimin e tyre të sigurt me garanci 100% në Shqipëri, duke patur mbështetjen e autoriteteve policore në Pikën e Kalimit Kufitar Port Durrës, e më konkretisht të pandehurve Gentian Aga dhe Alid Shehi, të cilët me veprimet ose mosveprimet e tyre në kundërshtim me ligjin, kanë konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar si krim nga neni 248 i Kodit Penal” informoi sot SPAK.
300 vjedhje
Bazuar edhe në aktet e administruara nga autoritetet franceze të drejtësisë në kuadrin e dosjes “Shkodër42”, ka rezultuar se gjatë periudhës objekt hetimi janë konstatuar mbi 300 vjedhje të kryera, dhe sendet e vjedhura (kryesisht bizhuteri prej ari, orë dore, pajisje elektronike etj), i’a kanë rishitur subjektit Sokol Briant, në ambientet e hotelit ku punonte në Lyon-Francë, dhe disa prej këtyre produkteve të krimit, janë sekuestruar në banesat e të pandehurve. Procedimi penal mban nr 56 të vitit 2022 dhe hetimi është realizuar në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore, të krijuar në muajin qershor 2022, midis Prokurorisë së Posaçme dhe Prokurorisë së Lionit Francë. Gjatë operacionit të ndërmarrë në 14 qershor 2023 SPAK lëshoi 15 urdhër arreste dhe ekzekutoi 12.
