Përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme ka detyruar Rusia të ndërmarrë masa të menjëhershme për sigurinë e personelit të saj në Irani, duke nisur evakuimin masiv nga centrali bërthamor i Bushehrit.
Sipas kreut të kompanisë shtetërore bërthamore Rosatom, Alexei Likhachev, procesi i largimit të stafit është drejt përfundimit. Vetëm gjatë mëngjesit të 13 prillit, 108 punonjës rusë janë larguar nga objekti, duke lënë në terren një numër minimal prej rreth 20 personash.
Ky grup i reduktuar përbëhet kryesisht nga inxhinierë dhe staf teknik, të cilët kanë si detyrë të garantojnë funksionimin bazë dhe sigurinë e pajisjeve në central, në një kohë kur situata në rajon mbetet e paqëndrueshme.
Vendimi i Moskës për të kufizuar në mënyrë drastike praninë e saj në këtë objekt strategjik vjen në një moment delikat, pavarësisht shpalljes së një armëpushimi të përkohshëm mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, të njoftuar nga presidenti Donald Trump.
Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë se tensionet në terren mbeten të larta dhe rreziku për përshkallëzim nuk është eliminuar. Evakuimi i personelit rus shihet si një sinjal i qartë i shqetësimit për sigurinë në zonat me rëndësi strategjike, veçanërisht në sektorin bërthamor.
Ndërkohë, ekspertët paralajmërojnë se çdo destabilizim në objekte të tilla mund të ketë pasoja të gjera jo vetëm për rajonin, por edhe për sigurinë ndërkombëtare, duke e bërë situatën në Iran një nga pikat më kritike të krizës aktuale globale.
