Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se bojkoti i tij nuk është ndaj Bashkimit Evropian, por ndaj individëve të caktuar brenda Parlamentit Evropian, duke veçuar hapur raportuesin për Serbinë, Tonino Piculën. Në një intervistë televizive, Vuçiç u shpreh se “të gjithë në Serbi e dinë” se ai po bojkoton vetëm Piculën dhe persona që, sipas tij, mbajnë qëndrime armiqësore ndaj shtetit serb.
Ai theksoi se nuk do të komunikojë me eurodeputetë që, sipas tij, “i dëshirojnë më të keqen Serbisë” dhe që vijnë në Beograd jo për dialog, por për të përgatitur raporte kritike dhe deklarata kundër vendit. Vuçiç deklaroi se vizitat e eurodeputetëve nuk janë koordinuar me autoritetet serbe dhe për këtë arsye nuk do të zhvillohen takime zyrtare.
Presidenti serb pranoi gjithashtu se kishte përmendur një eurodeputet tjetër në mënyrë të papërshtatshme, për çka më pas kërkoi ndjesë, duke thënë se deklarata ishte keqinterpretuar. Megjithatë, ai nuk u tërhoq nga qëndrimi i tij i përgjithshëm ndaj përfaqësuesve që i cilëson si armiqësorë.
Vuçiç theksoi se Serbia mbetet në rrugën evropiane, por nuk do të pranojë, sipas tij, poshtërim apo presion politik, as nga institucionet evropiane. Ai akuzoi disa eurodeputetë se po përgatitin raporte të reja negative për Serbinë në muajt në vijim.
Presidenti njoftoi gjithashtu se do të zhvillojë takime të rëndësishme ndërkombëtare në Davos, ku fokusi i tij do të jetë zgjidhja e çështjeve strategjike dhe politike për vendin. Ai e përshkroi situatën aktuale si një “luftë të madhe politike”, duke pranuar se sfidat janë të shumta, por duke shprehur shpresë se Serbia do t’i përballojë me sukses.
