Sot shënohen 558 vjet nga ndarja nga jeta e Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1405–17 janar 1468), figura që mishëron më fuqishëm identitetin, qëndresën dhe idealin e lirisë së kombit shqiptar.
Skënderbeu nuk përfaqëson vetëm një personalitet historik, por një epokë të tërë të rezistencës shqiptare kundër pushtimit osman. Lufta e tij më se njëçerek shekullore u kthye në simbol të mbrojtjes së tokave shqiptare dhe të qytetërimit europian në Ballkan.
I lindur në familjen fisnike të Kastriotëve, biri i Gjon Kastriotit dhe Vojsavës, Gjergj Kastrioti u dërgua peng në oborrin osman, ku mori një formim të thellë ushtarak dhe diplomatik. Kjo përvojë u shndërrua më vonë në armën e tij më të fortë kundër Perandorisë Osmane.
Pas kthimit në atdhe, ai bashkoi princërit shqiptarë në një aleancë të rrallë për kohën dhe udhëhoqi me vendosmëri qëndresën kundër një prej fuqive më të mëdha të epokës. Emri i Skënderbeut mbetet i gdhendur në historinë kombëtare si simbol i guximit, besës dhe sakrificës për liri.
Edhe pas 558 vitesh, figura e tij vijon të frymëzojë breza të tërë dhe të qëndrojë si shtyllë e dinjitetit dhe unitetit shqiptar.
