Vlora pa ujë prej tre ditësh, qytetarët në radhë te burimet: Pagujmë taksa, jetojmë pa shërbime

Data

Qyteti i Vlorës po përballet prej tre ditësh me mungesë totale të ujit të pijshëm, pas një defekti të rëndë në rrjetin e furnizimit. Situata ka shkaktuar zemërim dhe shqetësim të madh te banorët, të cilët janë detyruar të mbushin bidonë dhe enë në burime publike për të siguruar ujin e domosdoshëm për jetesë.

Sipas përfaqësuesve të ujësjellësit, avaria është serioze dhe kërkon kohë për t’u riparuar. Një përpjekje për zgjidhje ka dhënë vetëm furnizim të përkohshëm në disa zona, por problemi është rikthyer sërish, duke lënë pjesën më të madhe të qytetit pa ujë. Autoritetet lokale shprehen se furnizimi mund të nisë gradualisht në orët e pasdites, por pa dhënë garanci të qarta.

Ndërkohë, qytetarët shprehen të revoltuar. Me dhjetëra prej tyre presin çdo ditë në radhë për të mbushur ujë, ndërsa familjet me fëmijë, të moshuar dhe persona me probleme shëndetësore janë më të prekurat. Sipas banorëve, mungesa e ujit po e bën jetën e përditshme të papërballueshme.

“Tre ditë pa ujë jemi. Taksat i paguajmë rregullisht, por ujë nuk kemi. Nuk është normale kjo situatë,” shprehet një qytetar. Një tjetër shkon edhe më tej, duke e cilësuar situatën si pasojë të mungesës së reagimit qytetar dhe dështimit të institucioneve për të garantuar shërbimet bazë.

Deri më tani, nuk ka një njoftim zyrtar për afatin përfundimtar të riparimit të defektit. Qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente dhe zgjidhje të qëndrueshme, duke theksuar se furnizimi me ujë të pijshëm është një e drejtë bazë dhe jo luks.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related