Sheshi është nën tension, por opozita shqiptare shfaqet më e ndarë se kurrë. Të gjithë synojnë largimin e Edi Ramës nga pushteti, por secili ka zgjedhur rrugën e vet të protestës, duke e kthyer betejën kundër qeverisë në një përballje të fragmentuar. Tre faktorë opozitarë, tre kalendarë të ndryshëm dhe asnjë strategji e përbashkët.
Adriatik Lapaj po tenton ta kthejë protestën e përditshme në një lëvizje masive, duke kërkuar një qeveri tranzitore jopartiake si rrugë drejt zgjedhjeve të parakohshme. Sipas tij, partitë duhet të lihen mënjanë për t’i hapur rrugë një zgjidhjeje kombëtare që nxjerr vendin nga kriza politike.
Në krahun tjetër, Arlind Qori kërkon përplasje të menjëhershme politike dhe zgjedhje të shpejta, duke refuzuar çdo ide të qeverisë teknike apo tranzitore, të cilat i sheh si pazare mes elitave të vjetra politike. Për Qorin, momenti aktual është pika më e dobët e Ramës dhe duhet shfrytëzuar pa vonesa.
Ndërkohë, Partia Demokratike ndjek axhendën e saj, duke rezervuar protesta në një kohë tjetër, çka e thellon edhe më shumë përçarjen e opozitës. Qëllimi mbetet i njëjtë, por mungesa e një fronti të bashkuar rrezikon ta zbehë fuqinë e reagimit qytetar.
Në këtë situatë, Rama përballet jo me një opozitë të unifikuar, por me tre zëra të ndarë, duke e kthyer revoltën në zhurmë dhe jo në forcë reale ndryshimi.
