Konfliktet për projektin e Aeroportit të Vlorës janë përshkallëzuar ndjeshëm. Kompania Mabco Construction, e drejtuar nga biznesmeni Behgjet Pacolli dhe aksionere mazhoritare me 98% në shoqërinë koncesionare VIA, akuzon shtetin shqiptar për njëanshmëri dhe përjashtim nga vendimmarrja.
Në një letër drejtuar zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, dhe për dijeni kryeministrit Edi Rama, Mabco denoncon një takim të zhvilluar më 12 janar 2026 në kantierin e aeroportit, ku – sipas saj – janë favorizuar përfaqësuesit e aksionerit të pakicës 2%, ndërsa përfaqësuesit e aksionerit mazhoritar janë përjashtuar në mënyrë arbitrare.
Sipas kompanisë, përfaqësuesit e Mabco-s, përfshirë konsulentin për certifikimin e aeroportit dhe drejtorin e projektit, nuk janë lejuar të marrin pjesë në mbledhje, pavarësisht se kishin mandat zyrtar përfaqësimi. Kjo situatë cilësohet nga Mabco si akt i rëndë, i paligjshëm dhe në kundërshtim me kontratën e koncesionit.
Kompania thekson se ka investuar deri më tani rreth 80 milionë euro në projekt dhe se përjashtimi i saj nga takime kyçe cenon transparencën, koordinimin dhe interesin publik. Sipas letrës, fakti që mbledhja është zhvilluar në ambientet e aksionerit të pakicës tregon një qasje të njëanshme nga ana e institucioneve shtetërore, duke lënë jashtë aksionerin mazhoritar.
Mabco kërkon përsëritjen e mbledhjes me praninë e të gjitha palëve dhe rivendosjen e marrëdhënieve të drejta dhe transparente, në përputhje me ligjin dhe kontratën e koncesionit. Njëkohësisht paralajmëron se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, administrative, civile dhe penale për të mbrojtur investimin dhe interesin publik.
Nga Ministria e Infrastrukturës nuk ka ende asnjë reagim zyrtar për akuzat. Konflikti mes ortakëve lidhet edhe me pretendimet e aksionerit të pakicës për një përqindje më të madhe aksionesh në projekt, çështje që tashmë është në proces gjyqësor, ndërsa procedurat e koncesionit janë nën verifikim nga organet e drejtësisë.
