Presidenti në largim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka nxjerrë një urdhër ekzekutiv për të sanksionuar zyrtarë apo ish-zyrtarë që minojnë proceset demokratike në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke tronditur pushtetarët e lartë nga themelet. Në urdhrin e nxjerrë vetëm 12 ditë para largimit nga posti i presidentit, Joe Biden shprehet se ndërmori këtë vendim duke parë përpjekjet e vazhdueshme të disa individëve për të sfiduar sovranitetin dhe integritetin territorial të kombeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfshirjen e tyre në korrupsion të konsiderueshëm që gërryen sundimin e ligjit dhe besimin në qeverisjen demokratike.
Masat synojnë gjithashtu personazhet që financojnë ose bashkëpunojnë fshehurazi me forca që minojnë demokracinë. Pra ky vendim përçon një mesazh të qartë, se lufta kundër korrupsionit dhe mbrojtja e stabilitetit janë prioritet absolut, mesazhi ky që shkon drejtpërdrejte edhe për politikanë të lartë shqiptarë që janë përfshirë në afera të ndryshime korruptive apo kriminale, të cilët rrezikojnë të kenë fatin e ish-kryeministrit Sali Berisha të shpallur “non-grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit në maj të vitit 2021, teksa akuzohet si minues i demokracisë dhe i përfshirë në korrupsion madhor.
“President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në funksion të ngjarjeve në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë përpjekjet e vazhdueshme të individëve për të sfiduar sovranitetin dhe integritetin territorial të kombeve të Ballkanit Perëndimor, për të minuar marrëveshjet e pasluftës dhe institucionet, për t’u përfshirë në korrupsion të konsiderueshëm që gërryen sundimin e ligjit dhe besimin në qeverisjen demokratike, dhe për t’iu shmangur sanksioneve të qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe për të ndërmarrë hapa shtesë në lidhje me emergjencën kombëtare të shpallur në Urdhrin Ekzekutiv 13219 të datës 26 qershor 2001… dhe i zgjeruar në fushëveprimin me Urdhrin Ekzekutiv 14033 të 8 qershorit 2021, (Bllokimi i pronës dhe pezullimi i hyrjes në Shtetet e Bashkuara të personave të caktuar që kontribuojnë në situatën destabilizuese në Ballkanin Perëndimor)”, thuhet në urdhrin ekzekutiv.
Zgjerimi i masave
Urdhri i shpallur më 8 janar 2025 në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, zgjeron masat e mëparshme, duke futur si pjesë të sanksionimit pasuritë dhe aktivitetet e individëve që janë të përfshirë në veprime destabilizuese dhe korrupsion masiv në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Përgjegjës ose bashkëpunëtor në, ose të ketë përfshirë ose tentuar drejtpërdrejt ose tërthorazi të përfshihet në veprime ose politika që kërcënojnë paqen, sigurinë, stabilitetin ose integritetin territorial të çdo zone ose shteti në Ballkanin Perëndimor;(ii) të jetë përgjegjës ose bashkëpunëtor, duke përfshirë përfshirjen në zhvillimin, ose në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të angazhuar ose tentuar të përfshihet në veprime ose politika që minojnë proceset ose institucionet demokratike në Ballkanin Perëndimor….
