Një aksident i rëndë është regjistruar këtë të premte në zonën portuale të Hamburgut, ku një tren u përplas me një autobus në një kalim të pambrojtur. Si pasojë e përplasjes, një person humbi jetën në vendngjarje dhe dhjetë të tjerë mbetën të plagosur.
Të gjithë të plagosurit ndodheshin brenda autobusit, ndërsa dy prej tyre janë raportuar në gjendje të rëndë dhe gjashtë të tjerë me lëndime të lehta. Disa persona morën ndihmën e parë në vend, ndërsa të tjerët u transportuan menjëherë drejt spitaleve.
Shoferi i autobusit ishte i fundit që u nxor nga mjeti, pasi kishte mbetur i bllokuar pas përplasjes. Autoritetet bënë me dije se shkaqet e aksidentit nuk janë sqaruar ende.
Operacionet e shpëtimit dhe hetimet po vijojnë, ndërsa për familjarët e viktimave është ngritur një zonë e posaçme pritjeje pranë stacionit më të afërt të autobusëve.
