Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se po përdor shumicën parlamentare për të penguar drejtësinë në çështjen që lidhet me imunitetin e Belinda Ballukut.
Gjatë një takimi me kryetarët e degëve të PD-së në rrethe, Berisha u shpreh se Rama ka hequr çdo maskë sa i përket reformës në drejtësi dhe parimeve që, sipas tij, i ka përdorur vetëm për propagandë.
“Jeni dëshmitarë të disa zhvillimeve të fundit që i hoqën çdo maskë njeriut që shëtiste nga samiti në samit duke u mburrur për reformën në drejtësi. Sot del se nuk njeh asnjë normë, asnjë parim dhe asnjë princip,” deklaroi Berisha.
Sipas tij, në momentin që në një dosje hetimore është përmendur emri i Ballukut, kryeministri ka reaguar duke sulmuar drejtësinë dhe duke përdorur 83 mandatet e mazhorancës për të bllokuar proceset ligjore.
“Në çastin kur në një dosje dy janë për të dhe një për lubi Ballukun, ai përdor gjithë pushtetin e tij, 83 mandatet, për t’i mbyllur rrugën drejtësisë, për të bërë grusht shteti me parlament dhe për të asgjësuar parlamentin e drejtësisë. Këto janë vetëm maja e ajsbergut,” u shpreh Berisha.
Kreu i opozitës theksoi se këto veprime, sipas tij, tregojnë kapjen e institucioneve dhe përdorimin e pushtetit politik për të mbrojtur zyrtarë të lartë nga përballja me drejtësinë.
