Policia Rrugore ka arrestuar në flagrancë drejtuesin e automjetit të përfshirë në aksidentin tragjik të ndodhur mbrëmjen e djeshme te ura e Dajlanit, në Durrës, ku humbi jetën një 18-vjeçare.
Sipas njoftimit zyrtar, pas përfundimit të veprimeve hetimore është konstatuar se shtetasi A. Xh., 26 vjeç, ka qenë në gjendje të dehur dhe ka lëvizur me shpejtësi të lartë. Si pasojë, ai ka humbur kontrollin e mjetit, është përplasur me barrierat anësore të urës dhe automjeti ka rënë nga mbikalimi.
26-vjeçari akuzohet për veprat penale:
- “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen
- “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”
Shoferi ndodhet ende në kujdesin e mjekëve, por jashtë rrezikut për jetën. Dy këmbësorët e plagosur nga aksidenti kanë marrë asistencë mjekësore dhe janë larguar drejt banesave të tyre.
Policia apelon për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, duke theksuar se drejtimi i mjetit në gjendje të dehur dhe shpejtësia tej normave mbeten ndër shkaqet kryesore të aksidenteve me pasoja fatale.
