Nuk kanë fund skandalet e ish-ministres së Bujqësisë, Frida Krifca. Zëdhënësja Anti-Korrupsion në Partinë Demorkatike , Genta Vangjeli, në një deklaratë për mediat këtë fundjavë, ka bërë publike të gjitha shkeljet që janë bërë nga ish-ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca dhe ish-drejtoresha e AZHBR në lidhje me fondet e BE-së. “Ish-ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca dhe ish-drejtoresha e AZHBR pas publikimit të skandalit me shpërdorimin e fondeve të BE, nën mbrojtjen e Edi Ramës nuk lihet jashtë radhëve të administratës shtetërore dhe as nuk dorëzohet para drejtësisë”, thuhet në deklaratën e PD.
Detajet
PD deklaron se Krifca dhe bashkëjetuesi i saj kanë shtuar pasuritë e tyre gjatë kohës që karriera e ish-ministres lulëzonte. “Bashkëjetuesi deklaron pranë ILDKPI në 2020 tokë të shtuar arë 3 mijë m2 kundrejt vlerës 10 euro m2, ose total vlera 30 mijë euro, vendndodhja Farkë. Fitim neto si subjekt tregtar 7.5 milion lekë ndërkohë që nga data e regjistrimit të këtij biznesi privat v.2019 deri tani nuk ekziston asnjë pasqyrë financiare e publikuar pranë QKB. Biznesi tjetër aktiv i regjistruar në v.2020 me pronar bashkëjetuesin e znj.Krifca, Lucom Projects shpk që ka të përfshirë në objektin e veprimtarisë edhe aktivitet tregtar të lidhur drejtpërdrejt me bujqësinë ndërkohë që bashkëjetuesja Krifca mbante detyrën zyrtare të Drejtorit të Përgjithshëm të AZHBR-së.
Lucom Projects shpk rezulton përfitues i fondeve publike konkretisht: Sipas spending data, Bashkia Tiranë ka paguar këtë subjekt kundrejt vlerës totale 11 milion lek për vetëm 2 projekte kulturore “moving city Tirana 2022 dhe 2023”.”, deklaron Vangjeli. Më tej PD kërkon që përveç abuzimit me fondet e IPARD, SPAK të hetojë pasuritë e ish-ministres duke vlerësuar shkeljen e ligjit për konfliktin e interesit dhe përfitimin e fondeve publike edhe gjatë kohës së ushtrimit të detyrës shtetërore si ministër i Bujqësisë.
Çfarë ka ndodhur?
Ndërkohë kujtojmë rreth një vit më parë ish-ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca është kallëzuar në SPAK nën dyshimet për korrupsion lidhur me shpërndarjen e fondeve të IPARD. Kallëzimi është në Prokurorinë e Posaçme nga “Nisma Thurje”, kreu i së cilës Endi Shabani tha se fermeri shqiptar dhe konsumatori shqiptar janë tradhtuar nga qeveria e vet. Në një prononcim për gazetarët jashtë ambienteve të prokurorisë, Shabani u shpreh se në kallëzim janë akuzuar për “shpërdorim detyre” ish-ministrja Krifca, kreu i AZHBR-së dhe zyrtarë të tjerë, ndërsa prova më kryesore është raporti i OLAF. “Sot në mëngjes kemi depozituar në SPAK një kallëzim për abuzimet që është bërë me fondet e AZHBR, me fondet e IPARD-it, por edhe me fondet e ndihmës kombëtare. Ne i kërkojmë SPAK që të hetojë ish ministren e bujqësisë, drejtuesit e AZHBR-së dhe zinxhirin vendimmarrës që janë përgjegjës për atë vendim ku ne përjashtohemi nga fondet e BE. Ne shpresojmë që kjo të jetë një vijë ndarëse. Një vijë e pakalueshme për ty arsye.
E para, këtu jemi përpara një rasti ku po tradhtohet fermeri shqiptar. Edhe kur ka fonde nga BE edhe këto lekë i vjedhin, i ndajnë me të njëjtin grup oligarkësh. Ne i kërkojmë SPAK që ta vendosë një kufij të pakalueshëm në këtë pikë. E dyta jemi para një vije që nuk duhet të kapërcehet kur Shqipëria tradhtohet në rrugën e integrimit të BE. Ndërkohë ne jemi të fundit në rrugën e integrimit, sepse këta e kanë marrë peng dhe ky është një rast. Ne përjashtoheni nga fondi i BE që të pasurohen disa persona. Ne besojmë që SPAK do të vendosë këtë vijë ndarëse”, deklaroi Shabani. Sakaq bëjmë me dije se ish-ministrja e Bujqësisë Frida Krifca u vu në qendër të vëmendjes në muajin korrik pasi Komisioni Europian njoftoi se kishte vendosur të ndërpresë përkohësisht rimbursimet ndaj qeverisë shqiptare për financimet e projekteve në bujqësi të realizuara në kuadër të Programit IPARD II për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Vendimi ishte marrë “bazuar në informacionin fillestar të dhënë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit [OLAF], pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II”, bëri të ditur Delegacioni i BE-së në Tiranë.
