Ka përfunduar trajnimi i udhëhequr nga FBI për hetuesit e SPAK dhe NBI, i zhvilluar në Akademinë e Sigurisë. Aktiviteti synoi forcimin e kapaciteteve hetimore kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka shpërndarë një videomesazh të të ngarkuarës me punë, Nancy VanHorn, e cila theksoi se institucionet shqiptare po mbështeten fuqimisht për të goditur rrjetet kriminale. Sipas saj, krimi i organizuar shqiptar bashkëpunon ngushtë me kartelet e drogës në Amerikën Latine, duke përbërë një kërcënim serioz për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.
VanHorn nënvizoi se këto grupe destabilizojnë shtetet, nxisin migrim masiv dhe përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e SHBA-së. Ajo shtoi se lufta kundër tyre është në përputhje të plotë me prioritetet e administratës së Presidentit Donald Trump dhe se SHBA do të vijojë pa ndërprerje mbështetjen për institucionet që luftojnë krimin e organizuar dhe trafikimin e drogës në Shqipëri.
