Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim tre persona, të akuzuar për hyrje të paautorizuar në sistemet e SPAK dhe për shpërndarje të materialeve hetimore tepër sensitive.
Të pandehurit janë Arnold Rrokaj, ish-punonjës i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Zambak Gjoni, ish-zyrtar i burgut të Vlorës dhe Agim Ismaili, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve. Sipas SPAK, Rrokaj dhe Gjoni vepruan në bashkëpunim duke thyer sistemin kompjuterik të Prokurorisë së Posaçme, ndërsa Ismaili akuzohet se pasi u njoh me materialet e përftuara, i shpërndau ato më tej dhe kërkoi zgjerimin e përgjimit të paligjshëm.
Akuzat dhe masat
- Arnold Rrokaj – në arrest me burg, akuzohet për hyrje të paautorizuar kompjuterike, përgjim të paligjshëm të të dhënave dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
- Zambak Gjoni – në arrest me burg, akuzohet për përgjim të paligjshëm të të dhënave dhe grup të strukturuar kriminal.
- Agim Ismaili – hetohet në gjendje të lirë për përgjim të paligjshëm të të dhënave dhe bashkëpunim në grup të strukturuar kriminal.
SPAK bën me dije se Rrokaj arriti të aksesojë në mënyrë të paautorizuar materiale hetimore, të cilat më pas iu dërguan Gjonit dhe Ismailit, e më tej personave të tretë. Dy autorët kryesorë u identifikuan dhe u arrestuan brenda 24 orësh, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të dokumenteve.
Çfarë përmbanin materialet e vjedhura
Sipas dosjes hetimore, në dokumentet e përftuara përmes hakerimit kishte informacione dhe shkresa që lidhen me çështje sensitive dhe emra të njohur të politikës dhe biznesit, përfshirë ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, kryebashkiakun Erion Veliaj, deputetin Damian Gjiknuri, biznesmenin Klodjan Allajbeu, si dhe materiale që lidhen me kontrolle dhe hetime ndaj Franc Çopjas. Përmenden gjithashtu foto, shkresa hetimore dhe të dhëna të tjera konfidenciale.
Një pjesë e këtyre materialeve, sipas dëshmisë së Zambak Gjonit, iu përcollën nga Rrokaj përmes aplikacioneve të komunikimit, vetëm pak orë para se ndërhyrja të zbulohej. Alarmimi erdhi pasi një gazetar, të cilit i ishin dërguar dokumentet, informoi më 12 mars 2025 drejtuesin e SPAK, Altin Dumani.
Si u realizua hakerimi
Rrokaj ka pretenduar se hyrja në sistem u krye “nga kurioziteti”, duke provuar fjalëkalime të thjeshta, ndërsa hetimet tregojnë se u komprometuan e-mailet e tre prokurorëve të SPAK. Prokuroria e konsideron veprimtarinë të koordinuar dhe në formën e grupit kriminal, pasi në komunikime rezulton se janë kërkuar në mënyrë të qëllimshme të dhëna edhe për persona të tjerë.
Tashmë çështja do të gjykohet nga Gjykata e Posaçme, ndërsa rasti konsiderohet një nga goditjet më serioze ndaj sigurisë së brendshme të SPAK që nga krijimi i tij.
