Fjalori i ri i Gjuhës Shqipe në qendër të kritikave, Zhupa: Akademia e Shkencave do të thirret në dëgjesë

Data

Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka ngritur shqetësime serioze mbi draftin e ri të Fjalorit të Gjuhës Shqipe të përgatitur nga Akademia e Shkencave, duke e cilësuar atë si një produkt me mungesë profesionalizmi dhe standardesh shkencore.

Sipas Zhupës, fjalori – si një akt me rëndësi kombëtare dhe i financuar nga fondet publike – duhet të pasqyrojë zhvillimin bashkëkohor të shoqërisë shqiptare dhe të ruajë neutralitet shkencor, gjë që, sipas saj, nuk është respektuar në këtë rast.

Ajo solli shembuj konkretë problematikë, si futja e panevojshme e fjalëve të huaja si “abandonim” dhe “onlajn”, si dhe përkufizime që cilësohen diskriminuese për fjalët “djalë” dhe “vajzë”, ku kjo e fundit paraqitet me ngarkesë negative dhe paragjykuese.

Zhupa theksoi se një qasje e tillë nuk është vetëm e gabuar nga pikëpamja shkencore, por edhe e rrezikshme në aspektin shoqëror, pasi normalizon stereotipe dhe mentalitet maskilist përmes një dokumenti normativ të gjuhës.

Për këtë arsye, ajo paralajmëroi se Komisioni i Kulturës do të thërrasë Akademinë e Shkencave në një seancë dëgjimore, ku do të kërkohen shpjegime të detajuara mbi procesin e hartimit të fjalorit, grupet e punës dhe kriteret e ndjekura.

Sipas saj, kjo çështje do të trajtohet si interes publik dhe kombëtar, jo politik, pasi lidhet drejtpërdrejt me një nga shtyllat kryesore të identitetit shqiptar: gjuhën.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related