Një administrator lokali është arrestuar në flagrancë nga Policia e Tiranës, pasi në ambientin që ai drejtonte organizoheshin lojëra fati të paligjshme.
Arrestimi i shtetasit A. Z., 37 vjeç, u krye në rrugën “Kole Koçi”, në kuadër të operacionit policor të koduar “Bet”, që synon goditjen e veprimtarive të kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit.
Gjatë kontrolleve të ushtruara nga Specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike, u konstatua se në lokalin e administruar nga 37-vjeçari zhvillohej aktivitet i paligjshëm bastesh dhe lojërash fati. Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi një telefon celular, i cili dyshohet se përdorej për organizimin e kësaj veprimtarie.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa kontrollet për parandalimin dhe goditjen e lojërave të fatit vijojnë edhe në ambiente të tjera.
