Një 26-vjeçar, Luciano Mahilaj, është arrestuar nga policia në Gjirokastër, pasi dyshohet se ka mashtruar dhjetëra biznese duke u prezantuar si zyrtar i institucioneve shtetërore.
Sipas autoriteteve, i riu hiqej si punonjës i institucioneve si IKMT, AKU apo Tatim-Taksat dhe u kërkonte bizneseve para në këmbim të shmangies së gjobave apo kontrolleve. Për çdo rast, ai përfitonte shuma që varionin nga 200 deri në 600 euro.
Nga hetimet rezulton se ai ka mashtruar rreth 35 biznese në disa qytete të vendit, përfshirë Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Vlorë, Himarë, Orikum, Fier dhe Berat.
Arrestimi i tij u bë në flagrancë në Sarandë, ku u kap duke marrë 56 mijë lekë nga një qytetar. Operacioni, i koduar “The End”, u finalizua pas një hetimi njëmujor nga strukturat e krimit ekonomik në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjirokastrës.
Policia bëri të ditur se hetimet vijojnë për të dokumentuar raste të tjera të mundshme të mashtrimit, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve të denoncojnë çdo rast të ngjashëm.
