Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për mobilizim masiv në protestën e 24 janarit, duke e cilësuar atë si një moment vendimtar për largimin e regjimit të Edi Ramës dhe rikthimin e votës së lirë dhe rendit kushtetues.
Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi se opozita nuk synon ardhjen në pushtet me dhunë, por hapjen e rrugës për zgjedhje të ndershme dhe zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës.
“Kjo është një thirrje për guxim dhe dinjitet. Është kushtrim për çdo qytetar të ndershëm që të nisë betejën për largimin e këtij regjimi. Partia Demokratike nuk vjen në pushtet me dhunë, por përmes votës së lirë të shqiptarëve”, u shpreh Berisha.
Ai deklaroi se kryeministri Edi Rama ndodhet në panik të plotë, pasi sipas tij, administrata shtetërore po dërgon një fluks të madh informacionesh dhe dokumentesh drejt Zvicrës, aty ku ndodhet ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.
“Administrata po e tradhton. Në Lugano po shkojnë dokumente dhe informacione të shumta. Kjo e ka tmerruar Ramën. Njëherë thotë se ia ka bërë njëri, njëherë tjetri, ndërsa tekstet ia shkruajnë të tjerë. Kjo tregon panik dhe shpërbërje”, tha Berisha.
Sipas tij, shqiptarët presin veprim konkret nga opozita dhe Partia Demokratike është e vendosur të mos i zhgënjejë, duke e çuar betejën deri në fund.
“Ne kemi caktuar një datë, jemi të betuar dhe do ta vazhdojmë këtë betejë pa u ndalur, deri në largimin e këtij hajduti që kombi nuk e ka regjistruar kurrë në historinë e tij”, përfundoi Berisha.
