Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar ditën e djeshme shifrat e raportit të Eurostat në lidhje me largimin masiv të shqiptarëve gjatë qeverisjes së Edi Ramës. Duke folur dje para qytetarëve poshtë banesës së tij, ku qëndron i izoluar për shkak se ndaj tij është në fuqi masa e sigurisë “arrest shtëpie”, Berisha zbuloi se nga viti 2014 deri në vitin 2022 kanë ikur nga Shqipëria më shumë se 1 mln shqiptarë. “Tani më lejoni tu lexoj shqiptarëve, para jush shifrën e saktë të dhënë nga Eurostati dhe statistika e Britanisë së Madhe për emigrantët shqiptarë, shtetasit shqiptarë të larguar nga viti 2014-2022. Këto të dhëna tregojnë se, kanë kërkuar azil politik në BE, 191.670 qytetarë shqiptarë. Se gjenden në ilegalitet të paregjistruar në hapësirën e Shengenit, 311.650 shqiptarë. Se janë sistemuar gjatë këtyre viteve në punëra dhe regjistruar, përveç këtyre 487.225 shqiptarë. Dhe se, në Mbretërinë e Bashkuar vetëm gjatë vitit 2022 emigruan nga Shqipëria, 40 mijë shqiptarë. Të gjithë këta tejkalojnë mbi 1 milionë shqiptarë. Tejkalojnë rreth 35% e shqiptarëve kanë emigruar nga 2014 në 2022. Nuk janë këtu të regjistruar shqiptarët e larguar për në Kanada, SHBA, Norvegji, Lindje e Mesme dhe vende të tjera. Ky është apokalipsi shqiptar siç do ta quante një mik anglez këtë situatë të Shqipërisë. Shkova thotë, gjeta klasat pa nxënës, ose me 4-5 nxënës. Gjeta klasat ku mësonin anglisht dhe përgjigjeshin se po mësojmë se do ikim në Angli. Pra këto janë shifrat dhe ja pse Edi Rama fsheh censusin. Miqtë e mi! Vetëm 3 mujorin e parë të vitit 2024, Shqipëria pati 5056 lindje, kundrejt 5537 vdekje. Pati 481 vdekje më shumë se të lindur. Në këtë shok demografik, në këtë goditje demografike, kryesojnë qytetet e Vlorës, me 21 % më pak lindje se tremujorin e parë 2023. Pas Vlorës, vjen Berati me 19 % më pak se tremujorin e parë 2023”, deklaroi Berisha.
Sali Berisha publikon shifrat e Eurostat: Nga viti 2014 deri në vitin 2022 kanë ikur nga Shqipëria më shumë se 1 mln shqiptarë
Data
