Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër ndaj sulmit verbal të kryeministrit Edi Rama ndaj gazetares Klodiana Lala, duke e cilësuar këtë sjellje si një përpjekje për t’i shpëtuar llogaridhënies publike.
Sipas Tabakut, bullizimi i gazetarëve që ngrenë pyetje për korrupsionin dhe dështimet qeveritare nuk është rastësi, por shenjë e qartë e një pushteti që ka humbur qetësinë dhe nuk ka më përgjigje për opinionin publik.
Ajo thekson se sa më shumë ngushtohet presioni i drejtësisë ndaj qeverisë, aq më agresive bëhet gjuha e saj ndaj medias dhe zërit kritik.
“Sulmet ndaj gazetarëve nuk janë debat. Janë arratisje nga llogaridhënia. Kur pushteti bullizon median për pyetje legjitime, problemi nuk janë pyetjet, por mungesa e përgjigjeve”, shprehet Tabaku.
Deputetja demokrate nënvizon se degradimi i lirisë së medias në Shqipëri është i vazhdueshëm dhe i dokumentuar, duke shtuar se kjo situatë kërkon jo vetëm reagim politik, por edhe masa konkrete ligjore për mbrojtjen e gazetarëve.
Ajo bën thirrje që Kodi Penal të përfshijë garanci më të forta për mbrojtjen e gazetarëve dhe fjalës së lirë, duke theksuar se media është zëri i qytetarëve dhe sulmi ndaj saj është sulm ndaj vetë shoqërisë.
“Demokracia nuk dobësohet nga pyetjet e vështira. Ajo vdes nga heshtja që imponon pushteti. Të sulmosh gazetarët do të thotë t’i mbyllësh veshët shoqërisë dhe të fshihesh nga e vërteta”, përfundon Tabaku.
