Partia Demokratike pritet të mbledhë grupin e saj parlamentar në prag të nisjes së sesionit të ri të Kuvendit, i cili do të çelet zyrtarisht të hënën, më 19 janar, në orën 17:00.
Sipas burimeve, në rendin e ditës së kësaj mbledhjeje është parashikuar vetëm fjala e kryetarit të grupit parlamentar, pa hapur diskutime apo debate mes deputetëve. Takimi shihet si një moment orientues për qëndrimet politike të opozitës në muajt në vijim.
Ndërkohë, ditën e enjte pritet të zhvillohet edhe seanca e radhës plenare e Kuvendit. Gjatë ditës së sotme, PD pritet të përcaktojë agjendën e saj politike për sesionin e ri parlamentar, i cili do të zgjasë deri në muajin korrik.
Burime nga selia blu bëjnë me dije se në fokus do të jenë edhe vendime të rëndësishme lidhur me pjesëmarrjen ose jo të PD-së në Komisionet e Posaçme Parlamentare, konkretisht në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe atë të Reformës Territoriale. Sipas planit strategjik të Kuvendit, këto komisione duhet të përmbyllin punën brenda vitit 2026.
Deri më tani, Partia Demokratike e ka kushtëzuar pjesëmarrjen e saj në këto komisione dhe ka ndërprerë komunikimin institucional për një sërë reformash dhe aktesh parlamentare. Ky qëndrim ka përfshirë edhe procesin e zgjedhjes së drejtuesve të organeve të pavarura, ku PD ka kundërshtuar mënyrën e veprimit të mazhorancës, duke e cilësuar atë si të njëanshme.
Mbledhja e grupit parlamentar pritet të japë sinjale të qarta për strategjinë që PD do të ndjekë në sesionin e ri parlamentar.
