Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen penale që lidhet me hakerimin e sistemeve të saj, duke vënë nën akuzë tre persona, mes tyre edhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili.
Sipas kërkesës për gjykim, Arnold Rrokaj, i cili ndodhet në masën e sigurisë “arrest në burg”, akuzohet për hyrje të paautorizuar në sisteme kompjuterike dhe për përgjim të paligjshëm të të dhënave, vepra këto të kryera në bashkëpunim dhe në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Nga hetimet rezulton se Rrokaj ka aksesuar materiale hetimore të Prokurorisë së Posaçme, të cilat më pas janë shpërndarë në mënyrë të paligjshme.
Në të njëjtën çështje është dërguar për gjykim edhe Zambak Gjoni, gjithashtu në masën “arrest në burg”, i akuzuar për përgjim të paligjshëm të të dhënave kompjuterike dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal.
Ndërkohë, Agim Ismaili po hetohet në gjendje të lirë. Sipas Prokurorisë, ai është njohur me përmbajtjen e materialeve hetimore të siguruara në mënyrë të paligjshme, i ka shpërndarë ato më tej dhe ka kërkuar me vetëdije thellimin e përgjimit të sistemeve të Prokurorisë, me synimin për të siguruar të dhëna për persona të ndryshëm.
Prokuroria sqaron se Rrokaj dhe Gjoni janë identifikuar dhe arrestuar brenda 24 orëve, duke parandaluar shpërndarjen e mëtejshme të materialeve hetimore. Si rezultat i veprimeve të shumta hetimore dhe analizimit të provave, akuzat u zgjeruan edhe ndaj ish-drejtorit të Burgjeve, duke çuar çështjen përpara Gjykatës së Posaçme për gjykim.
