“U jehua e vërteta në Reçak”/ Kurti në 27-vjetorin e masakrës: Kriminelët do të dalin para drejtësisë

Data

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi homazhe në Kompleksin Memorial të Reçakut me rastin e 27-vjetorit të Masakrës së Reçakut, duke nderuar 45 martirët e vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Në fjalën e tij, Kurti theksoi se Masakra e Reçakut ishte një moment kyç që ndërgjegjësoi opinionin publik ndërkombëtar për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e kryer nga shteti serb ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Ai nënvizoi se nga Reçaku u bë e pamundur fshehja e së vërtetës për atë që po ndodhte në Kosovë.

Kreu i qeverisë tha se, edhe pas 27 vitesh, drejtësia për viktimat mungon dhe kjo e bën Reçakun një plagë ende të hapur. Sipas tij, institucionet e Kosovës do të mbeten të përkushtuara për ndjekjen penale të autorëve dhe përballjen e tyre me drejtësinë.

“Jemi këtu për të shprehur dhembjen tonë, por edhe vendosmërinë se do të jemi gjithmonë të angazhuar për t’i sjellë kriminelët para gjyqit dhe për t’i ndëshkuar për mizoritë e kryera,” u shpreh Kurti.

Në përfundim, ai përkujtoi me nderim 45 martirët e Reçakut dhe 11 dëshmorët e kombit, duke theksuar se liria dhe pavarësia e Kosovës janë ndërtuar mbi sakrificën e tyre dhe se e vërteta historike nuk do të zhbëhet kurrë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related