Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në rregullat që lidhen me afatet e paraburgimit në çështjet penale me më shumë se një të pandehur.
Në fokus të ankimit është neni 265 i Kodit të Procedurës Penale, i cili rregullon pezullimin e afateve të paraburgimit, por që sipas Apelit të GJKKO-së krijon padrejtësi serioze dhe bie ndesh me Kushtetutën dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Problemi lind në rastet kur një proces gjyqësor ka disa të pandehur dhe njëri prej tyre – ose përmes avokatit të tij – nuk paraqitet në seanca, duke shkaktuar shtyrje të vazhdueshme të gjykimit. Aktualisht, ligji parashikon që pezullimi i afateve të paraburgimit të zbatohet njësoj për të gjithë të pandehurit, pavarësisht se kush është realisht shkaku i zvarritjes.
Sipas Gjykatës së Posaçme të Apelit, kjo situatë krijon një pabarazi flagrante. Ndërsa një i pandehur mund të përfitojë nga zvarritja, duke ulur efektivisht kohën e vuajtjes së dënimit nëse shpallet fajtor, një tjetër bashkëpandehur që kërkon përfundimin e shpejtë të procesit penal penalizohet pa asnjë faj të tij.
Apeli thekson se shtrirja automatike e pezullimit të paraburgimit mbi të gjithë bashkëpandehurit përbën shkelje të parimit të përgjegjësisë individuale dhe të së drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm.
Në kërkesën drejtuar Kushtetueses, argumentohet se ligji aktual nuk parashikon një zgjidhje të personalizuar, duke trajtuar njësoj të gjithë të pandehurit, edhe kur vetëm njëri prej tyre bëhet pengesë për zhvillimin normal të procesit gjyqësor.
Gjykata e Posaçme kërkon që Kushtetuesja të shpallë papajtueshmërinë e nenit 265, në pjesën ku ai nuk lejon që efektet juridike të pezullimit të afateve të paraburgimit të kufizohen vetëm te personi që shkakton zvarritjen.
Sipas propozimit të Apelit, nëse në një çështje me disa të pandehur një individ nuk paraqitet ose pengon procesin, vendimi për pezullimin e afateve të paraburgimit duhet të ketë efekt vetëm ndaj atij personi dhe jo ndaj të gjithë të tjerëve.
Kjo kërkesë konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt garantimit të drejtësisë individuale dhe shmangies së abuzimeve procedurale që mund të përdoren si strategji mbrojtjeje për të fituar kohë në paraburgim.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi këtë ankim pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën se si trajtohen çështjet e mëdha penale, veçanërisht ato që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
