Dokumentet e publikuara në regjistrin amerikan të lobimit tregojnë se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka zhvilluar një fushatë të kushtueshme lobimi në Shtetet e Bashkuara, e cila përmban kryesisht sulme të paprovuara ndaj Prokurorisë së Posaçme dhe pretendime të ekzagjeruara për persekutim të ngjashëm me atë të regjimit komunist.
Nga qelia e paraburgimit ku ndodhej prej dy muajsh, më 23 prill 2025, Veliaj i ka dërguar një letër emocionale senatorit amerikan Dick Durbin, ku e përshkruan veten si viktimë të një fushate linçuese dhe të një drejtësie të politizuar.
“Kjo më kujton taktikat e vjetra komuniste në Shqipëri, kur viktima shënjestrohej në mënyrë të paarsyeshme, nxitej histeria publike për ta dehumanizuar dhe ndërkohë mbahej e izoluar në burg, pa akuza,” shkruan Veliaj në letër, duke i kërkuar senatorit që të bëhej një “flamurtar” i çështjes së tij kundër drejtësisë shqiptare.
Letra është pjesë e një fushate të gjerë lobimi në SHBA, e cila sipas dokumenteve zyrtare i ka kushtuar Veliajt dhe vëllait të tij rreth 220 mijë dollarë vetëm gjatë vitit 2025.
Dokumentet e depozituara nga studioja ligjore amerikane e kontraktuar nga familja Veliaj paraqesin pretendime të përsëritura për një persekutim politik, të shoqëruara me artikuj mbështetës nga media shqiptare, por pa prova konkrete për akuzat e ngritura ndaj prokurorëve të çështjes.
Në këto materiale pretendohet se Veliaj po hetohet nga një prokuror në konflikt interesi dhe se ndaj tij janë përdorur gjuhë fyese në sallën e gjyqit, por pa asnjë dokumentim faktik që i mbështet këto akuza.
Erion Veliaj u arrestua në shkurt të vitit të kaluar nga Prokuroria e Posaçme, me akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në të njëjtën dosje janë përfshirë edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, ish-deputetja Klotilda Bushka si dhe 15 persona të tjerë, mes tyre biznesmenë dhe bashkëpunëtorë. Të gjithë të akuzuarit i kanë mohuar akuzat.
Fushata e lobimit në SHBA
Dy studio ligjore, njëra në Nju Jork dhe tjetra në Londër, janë kontraktuar nga Arbër Veliaj për të zhvilluar një fushatë të gjerë ndërkombëtare PR-i në mbrojtje të kryebashkiakut.
Sipas dokumenteve zyrtare, studioja amerikane është paguar 220 mijë dollarë dhe ka dërguar dhjetëra email-e drejt senatorëve, kongresmenëve, Departamentit të Drejtësisë dhe Departamentit të Shtetit, si dhe ka organizuar telefonata dhe takime zyrtare.
Në këto komunikime përsëriten të njëjtat ankesa, përfshirë pretendime se prokurori i çështjes është i lidhur politikisht me opozitën dhe se ndodhet në konflikt interesi për shkak të një çështjeje ndërtimi me Bashkinë e Tiranës. Asnjë prej këtyre pretendimeve nuk shoqërohet me prova.
Në dosje janë përfshirë gjithashtu shkrime mediatike nga Shqipëria, ku flitet për “linçim” të Veliajt dhe për ofendime të supozuara nga ana e prokurorëve, pa asnjë fakt të verifikueshëm.
Një raport i përbashkët i dy studiove ligjore, i datës 24 qershor 2025, e cilëson paraburgimin e Veliajt si të padrejtë dhe nxit partnerët perëndimorë të shprehin shqetësim. Ndërkohë, masa e sigurisë ndaj Veliajt është konfirmuar si e ligjshme në të tre shkallët e gjyqësorit shqiptar.
PR ndërkombëtar dhe artikuj mbështetës
Përveç lobimit të deklaruar, fushata përfshin edhe publikimin e një sërë artikujsh në media të huaja periferike, të cilat janë ripërkthyer dhe shpërndarë gjerësisht në Shqipëri.
Vetëm në dhjetor, pak para shqyrtimit të masës së sigurisë, u publikuan disa shkrime që ngrinin dyshime mbi procesin gjyqësor ndaj Veliajt. Disa prej tyre ishin pa autor, ndërsa të tjerë ishin firmosur nga persona pa profil profesional të verifikueshëm.
Një pjesë e këtyre autorëve janë të njohur për shkrime në mbështetje të regjimeve autoritare jashtë Europës, çka ka ngritur dyshime serioze mbi natyrën reale të kësaj fushate PR dhe objektivin e saj për të ndikuar perceptimin ndërkombëtar mbi drejtësinë shqiptare.
