“Do përfundosh si të tjerët, pa asnjë emër”/ Berisha nga Lezha mesazh për Salianjin: PD nuk i ka asnjë borxh

Data

Gjatë një takimi me demokratët në Lezhë, Sali Berisha ka dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj Ervin Salianjit, duke kritikuar lëvizjet e tij me strukturat e Partisë Demokratike në disa qytete.

Berisha theksoi se Partia Demokratike është një parti e mendimit të lirë dhe e debatit të hapur, por paralajmëroi se askush nuk mund ta përdorë atë për interesa personale apo ambicie individuale.

“Kjo parti ka qenë dhe do të mbetet parti e mendimit të lirë, por askush nuk do ta marrë për interesa vetjake. Ata që e bënë këtë, u shuan dhe emri i tyre nuk është më”, u shpreh Berisha, duke iu referuar edhe rasteve të mëparshme brenda partisë.

Ai theksoi se PD është parti idealesh, aspiratash dhe morali qytetar, dhe jo një strukturë për favore, leje ndërtimi apo mbulim aferash.

“Partia Demokratike nuk është parti e pallateve pa leje dhe as e fshehjes së krimeve. Kush mendon se mund të përfitojë në këtë mënyrë, gabon”, tha ai.

Sipas Berishës, debatet janë të domosdoshme dhe të mirëpritura, por vija ndarëse është veprimi për interesa private në emër të partisë.

“Debatet i kemi të hapura, por nëse vrapon për interesa personale dhe flet në emër të PD-së, do të përfundosh si të tjerët, pa asnjë emër. Partia Demokratike nuk i ka asnjë borxh askujt”, deklaroi Berisha.

Në përfundim, ai shtoi se kush zgjedh të shkëputet nga partia për ambicie personale, është i lirë të ndjekë rrugën e vet, por pa asnjë ndikim politik.

“Diskutojmë dhe debatojmë, por nëse largohesh dhe ecën vetëm, shko ku të duash. Efekti është zero”, përfundoi ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related