Qytetari “sy më sy” Berishës: Kur do e dorëzoni stafetën apo keni frikë? Kreu i PD-së: Nuk kam ndërmend të lë pasardhës

Data

Gjatë një takimi me demokratët në Lezhë, Sali Berisha u përball drejtpërdrejt me një pyetje nga një qytetar lidhur me të ardhmen e drejtimit të Partisë Demokratike dhe mundësinë e dorëzimit të stafetës.

Qytetari i kujtoi Berishës dorëzimin e pushtetit në vitin 2013, duke ngritur dyshime nëse sot ekziston frikë për të bërë të njëjtën gjë brenda partisë.

“Kaq e vështirë është të dorëzohet stafeta, doktor? Ju keni dhënë prova në 2013 si burrë shteti që e dorëzuat pushtetin, por kam dyshimin se tani keni frikë, dhe ndoshta me arsye”, u shpreh qytetari.

Në përgjigje, Berisha tha se nuk ka asnjë plan për të përcaktuar një pasardhës personal dhe se drejtimin e PD-së nuk do ta trashëgojë asnjë anëtar i familjes së tij.

“Të vetmen gjë që nuk kam ndërmend të bëj kurrë është të lë pasardhës. As vajzën, as djalin tim. Pasardhësin ua lë ju. Do ta zgjidhni ju atë që besoni më shumë”, deklaroi Berisha.

Ai theksoi se drejtuesi i Partisë Demokratike duhet të dalë nga vullneti i anëtarësisë dhe i qytetarëve, duke përjashtuar çdo ide trashëgimie apo imponimi nga lart.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related