“Ja vdekje, ja liri”/ Berisha nga Lezha: Nuk ka forcë që na mposht, kemi fituar çdo betejë kur kemi dalë në shesh

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me simpatizantët në Lezhë, deklaroi se opozita shqiptare ka qenë gjithmonë fituese sa herë ka dalë në shesh për liri dhe demokraci, duke theksuar se nuk ekziston asnjë forcë që mund të mposhtë vullnetin e qytetarëve.

Sipas Berishës, historia ka treguar se betejat më të rëndësishme politike janë fituar pikërisht kur opozita është mobilizuar me moton “ja vdekje, ja liri”.

“Mos e harroni kurrë: kemi fituar sa herë kemi dalë në shesh me këtë moto. Kemi fituar në vitet ’90, kemi fituar në vitet ’98–’99. Na vranë, por ne nuk u ndalëm. Kur dalim me ‘ja vdekje, ja liri’, nuk ka forcë në botë që na mposht”, u shpreh Berisha.

Ai akuzoi qeverinë për manipulim zgjedhjesh dhe vjedhje të votës, duke e cilësuar procesin zgjedhor si farsë dhe jo si zgjedhje të lira.

“Sot zgjedhjet i fiton ai që bën batërdinë me votat. Makineria e tmerrshme e manipulimit vërsulet dhe e shpall veten fituese. Ky nuk bën zgjedhje, bën farsë”, deklaroi Berisha.

Kreu i PD-së theksoi se drejtësia është elementi themelor që duhet të gjykojë pushtetin dhe paralajmëroi se bllokimi i saj e çon vendin drejt një rendi parashtetëror.

“Nëse pushteti pengon drejtësinë, atëherë shoqëria kthehet pas mijëra vite. Vendi ka nevojë për qeveri legjitime, të dalë nga vota e lirë e qytetarëve”, tha ai.

Në përfundim, Berisha u shpreh i bindur se opozita është e pamposhtur dhe se beteja për zgjedhje të lira do të fitohet.

“Ne e kemi faktuar që jemi të pamposhtur dhe do t’ua faktojmë shqiptarëve. Nuk ka forcë në botë që na ndalon në këtë mision. Rroftë Lezha, rroftë Shqipëria”, përfundoi Berisha.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related