“Një situatë absurde, me dy kahe”/ Përmbytjet, Sharka: Keqmenaxhimi i infrastrukturës dhe dështimi i qeverisë

Data

Eduart Sharka, drejtues i sektorit të politikave agrare në Departamentin e Bujqësisë të Partisë Demokratike, ka përshkruar situatën në bujqësi dhe zonat rurale si dramatike, veçanërisht pas përmbytjeve të fundit që kanë goditur disa zona të vendit.

Në një intervistë televizive, Sharka theksoi se, përtej ndikimit të ndryshimeve klimatike, sektori bujqësor në Shqipëri po vuan nga mungesa e politikave të duhura shtetërore, keqmenaxhimi i infrastrukturës dhe dështimi i qeverisë për të dëmshpërblyer fermerët e prekur nga fatkeqësitë natyrore.

Sipas tij, dëmet nga përmbytjet dhe fenomenet ekstreme nuk janë të reja për bujqësinë dhe trajtohen si pjesë e politikave bazë në Bashkimin Europian. Sharka kujtoi se përshtatja e bujqësisë ndaj ndryshimeve klimatike është një nga shtyllat kryesore të politikës agrare europiane, por në Shqipëri, sipas tij, problemi është shumë më i thellë.

“Tek ne nuk kemi thjesht një problem me motin, por me politika tërësisht të gabuara në sektorin e bujqësisë,” u shpreh ai.

Sharka theksoi se një nga kërkesat kryesore të fermerëve ndër vite ka qenë dëmshpërblimi për dëmet nga fatkeqësitë natyrore dhe mbulimi i primit të sigurimit bujqësor nga shteti, një praktikë që sipas tij zbatohet në vendet e rajonit dhe në Bashkimin Europian.

Ai solli si shembull Kosovën, ku pas dëmeve nga ngricat disa vite më parë, qeveria dëmshpërbleu fermerët pa shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe mbuloi kostot e sigurimit bujqësor.

Sipas Sharkës, Shqipëria ndodhet sot në një situatë absurde me dy standarde: nga njëra anë qeveria i justifikon përmbytjet me reshje jashtë normales, por nga ana tjetër nuk shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore dhe nuk zbaton ligjin për dëmshpërblimin e fermerëve.

“Faktet nga terreni tregojnë se shkaku kryesor i përmbytjeve të fundit, sidomos në Myzeqe, nuk është sasia e shiut, por keqmenaxhimi i digave të hidrocentraleve dhe mosmirëmbajtja e kanaleve kulluese,” tha ai.

Sharka shtoi se në zona si Lushnja janë përmbytur sera dhe sipërfaqe të prodhimit intensiv, duke shkaktuar dëme të jashtëzakonshme ekonomike për fermerët, ndërkohë që mungesa e ndërhyrjes dhe përgjegjësisë institucionale po e thellon krizën në bujqësi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related