Avokati i Popullit ngre alarmin për burgun e Shënkollit: Mbipopullim, kushte degraduese dhe mungesë mjekësh

Data

Avokati i Popullit ka nisur një inspektim të paparalajmëruar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Shënkoll, ku gjetjet paraprake tregojnë mbipopullim të rëndë, kushte të papërshtatshme akomodimi dhe mungesë të theksuar të personelit mjekësor.

Inspektimi po zhvillohet në kuadër të mandatit të institucionit si Mekanizëm Kombëtar për Parandalimin e Torturës dhe do të vijojë edhe gjatë ditës së nesërme.

Avokati i Popullit, Endrit Shabani, deklaroi se institucioni nuk duhet të funksionojë si burg, por si spital me siguri të lartë, pasi një pjesë e personave të akomoduar aty janë nën masa mjekësore dhe nuk po vuajnë dënime penale.

“Problemi kryesor është se këtu duhet të kishte një spital me siguri të lartë, jo një burg me vetëm dy psikiatër”, tha Shabani.

Sipas tij, në disa ambiente qëndrojnë deri në 12 persona në një dhomë, ndërsa një pjesë e godinës është e pabanueshme dhe kërkon ndërhyrje urgjente.

Ai theksoi se kushtet e konstatuara cenojnë dinjitetin njerëzor dhe përbëjnë shkelje të standardeve minimale për trajtimin e personave me probleme të shëndetit mendor.

Gjatë inspektimit po verifikohen kushtet e akomodimit, kujdesi shëndetësor, regjistrat e ankesave dhe trajtimi i personave të vendosur në institucion. Grupi i inspektimit po zhvillon gjithashtu biseda private me ta, pa praninë e stafit.

Shabani u bëri thirrje Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të marrin masa të menjëhershme për rritjen e personelit mjekësor, përmirësimin e ambienteve dhe krijimin e një institucioni të posaçëm spitalor me siguri të shtuar.

Pas përfundimit të inspektimit, Avokati i Popullit do t’u dërgojë institucioneve përgjegjëse një raport të plotë me gjetjet dhe rekomandimet, duke i krahasuar ato edhe me problematikat e konstatuara gjatë inspektimit të vitit të kaluar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related